Niko Peleshi vizitë në Greqi: Sfidat e sigurisë të përbashkëta, rrisim bashkëpunimin
Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, po zhvillon një vizitë dyditore në Greqi, me ftesë të homologut të tij, Nikolaos Panagiotopoulos. Biseda mes dy ministrave u përqendrua te sfidat aktuale të sigurisë, me fokus të veçantë mbi situatën në Ukrainë, pasojat e mundshme mbi sigurinë në rajon, procesin e integrimit euro-atlantik dhe angazhimet e përbashkëta në kuadër të NATO-s dhe rajonale.
Takimi ndërmjet dy delegacioneve u zhvilluan në një frymë tepër miqësore, ku u ndanë mendimet dhe idetë e tyre për të zhvilluar dhe intensifikuar më tej bashkëpunimin në fushën e Mbrojtjes, duke u fokusuar në fushat e arsimimit dhe edukimit ushtarak, shëndetësi, stërvitjet e përbashkëta si dhe angazhimet në rajonin e Ballkanit.
Peleshi shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e vijueshme që Greqia i ka dhënë Shqipërisë, jo vetëm gjatë procesit të anëtarësimit në NATO, por edhe në përpjekjet që vendi ynë po bën për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian.
Të dy ministrat vlerësuan kontributet respektive në angazhimet në kuadër të Aleancës si edhe shprehën gatishmërinë për të mbështetur vendimet dhe angazhimet që priten të konfirmohen në Samitin e NATO në Madrid, Spanjë. Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi rikonfirmoi vijimin e angazhimeve të vendit tonë në NATO, duke vënë në dukje shtimin e kontributeve të Shqipërisë në kuadër të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, në eFP (enhanced Forëard Presence), në Letoni si dhe angazhimin për të kontribuar me një togë në eFP Bullgari.
Nga të dyja palët u dënua njëzëri agresioni i paprovokuar i Rusisë në Ukrainë, ndërsa shprehën qëndrimin e tyre ndaj ndikimeve të kësaj situate në Ballkan, Evropë e më gjerë. Ministri Peleshi u shpreh se “sfidat tona të sigurisë mbeten të përbashkëta, të pandashme dhe të gjithanshme. Ato vijnë nga çdo drejtim dhe mund të cenojnë sigurinë dhe stabilitetin në rajonin tonë dhe më gjerë. Nuk duhet të humbasim vëmendjen nga rajoni i Ballkanit Perëndimor dhe krahu jugor i Aleancës”.
Ministria e Mbrojtjes së Shqipërisë vlerësoi kontributin e Forcave të Armatosura greke që prej fillimit në misionin e KFOR, në Kosovë, si një kontribut të madh për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor. Sipas ministrit Peleshi, mbështetja e pjesëmarrjes së Kosovës në iniciativat rajonale (SEDM etj.) do të jetë një hap tepër i rëndësishëm në shërbim të rritjes së besimit, paqes, stabilitetit dhe prosperitetit në rajon.