Nikolla takon raportuesen për Shqipërinë në PE: Dialogu i qëndrueshëm, përshpejton integrimin europian
Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, u takua sot pasdite me Isabel Santos, raportuese për Shqipërinë në Parlamentin Europian. Në fokus të takimit ishte mbështetja për avancimin e integrimit europian. Sipas njoftimit të Kuvendit, Kryetarja Nikolla e falenderoi Santos-in për mbështetjen për avancimin e integrimit europian të Shqipërisë dhe kontributin në njohjen dhe vlerësimin e këtij procesi në Parlamentin Europian dhe institucionet europiane.
“Procesi i negociatave për marrëveshjen e anëtarësimit kërkon ngritjen në një nivel të ri të rolit legjislativ dhe mbikëqyrës të Kuvendit, sidomos për kontrollin e përputhshmërisë së projektligjeve me acquis të BE-së. Mbështetja dhe mbikëqyrja e plotësimit të standardeve të anëtarësimit përbën një prioritet të Kuvendit të Shqipërisë. Në Kuvend po punojmë për forcimin e dialogut politik për avancimin e reformave dhe të procesit të integrimit europian”, u shpreh Nikolla gjatë takimit.
Kryetarja Nikolla vuri në dukje se Kuvendi po punon për zbatimin e Planit të Veprimit për zbatimin e rekomandimeve të Raportit të KE për Shqipërinë 2023, përgatitjen e pozicioneve negociuese dhe udhërrëfyesve “për shtetin e së drejtës”, “reformës në administratën publike” dhe “funksionimin e institucioneve demokratike”, si edhe Planin e Veprimit për adresimin e rekomandimeve që i drejtohen Kuvendit në Raportin Analitik për Grupkapitujt e Parë.
Isabel Santos vlerësoi arritjet e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian, përgëzoi Kryetaren Nikolla për normalizimin e dialogut politik ndërpartiak në Kuvend dhe nënvizoi rëndësinë e qëndrueshmërisë së tij për konsolidimin e institucioneve demokratike, vijimin e reformave dhe përshpejtimin e procesit të integrimit evropian.