Nikollaq Neranxi: Dihet kush grabit, policia do t’i gjejë

Dy persona të armatosur kanë grabitur zyrat qendrore të kompanisë "Neranxi" në autostradën Tiranë-Durrës.



Autorët kanë qenë të maskuar dhe e kryer vjedhjen nën kërcënimin e armëve. Policia bën me dije se autorët kanë terrorizuar punonjësit dhe kanë grabitur xhiron ditore të kompanisë, një shumë prej 123 mijë lekësh dhe 82 eurosh. Më pas, ata janë larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes me një automjet tip "Benz" ngjyrë gri.



Policia e mbërritur në vendngjarje ka nisur menjëherë hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.



I pyetur nga "A1 Report", Nikollaq Neranxi tha se personat e armatosur lidhën rojen dhe e goditën, u futën brenda, terrorizuan punonjësit dhe morën xhiron ditore.



Sa është shuma e marrë?



123.000 Lekë dhe 82 euro. Ajo që është e rëndë është terrori ndaj punonjësve se sa shuma e grabitur që është 123.000 dhe 82 euro.



Sa punonjës kanë qenë kur ka ndodhur grabitja?



Ndodheshin 4 punonjës, bashkë me arkëtaren, 5.



A mendoni se kjo grabitje do të zbardhet?



Kamerat e sigurisë kanë kapur çdo lëvizje. Është një makinë, të cilën e kam parë në media, që ka bërë disa grabitje këtu, u ndërrojnë targat. Është një mercedes që ka bërë disa grabitje. Ishin të maskuar mirë dhe të armatosur mirë. Besoj se policia do gjejë, dihet shumë mirë se kush punon dhe kush grabit.



Ka qenë thjesht një grabitje, apo diçka më shumë?



Ne me policinë bashkëpunojmë edhe kur grabisin persona të tjerë. Ne jemi biznes me gati 200 punonjës, nuk ishte goditje për kompaninë, ishte një grabitje. Është një lajm shumë i rëndë. Besoj se do kapen, gjykoj edhe brenda 24 orëve. Kompania ka roje me armë. Kompania ka punonjës të tillë që kanë armë gjahu. Unë po t’i vrisja, do të shkoja në burg. Këto janë ligjet. Nuk e zgjidhim duke i vrarë ne.



Cili është mesazhi juaj, qoftë për policinë, qoftë për opinionin publik?



Gjendja në Shqipëri, të paktën për biznesin janë të terrorizuar. Kemi besim te policia, këta janë hajdutë. Ne do vijojmë aktivitetin.

SHKARKO APP