Nipi i Enverit: Tani po dëgjoj për laboratorin e drogës

Erman Hoxha, nipi i ish-diktatorit Enver Hoxha përgjatë një viti hetimi të dosjes “Xibraka”, nuk ka pranuar në asnjë moment përfshirjen e tij në trafikun e kokainës. Ai rezulton të jetë marrë në pyetje dy herë në prani të avokatit të tij, por asnjëherë s’e ka pranuar akuzën, duke pohuar se është i pafajshëm dhe që s’ka pasur asnjë dijeni se çfarë ka pasur në magazinën në Xibrakë,në të cilën prokuroria ka sekuestruar sasinë e kokainës të ardhur nga Bolivia. Sipas Hoxhës, ai ka mësuar për ekzistencën e laboratorit vetëm pasi është paraqitur në gjykatë për të njohur me masën e sigurisë.

Dëshmia e Ermal Hoxhës:

Me vullnetin e tij të lirë, shtetasi Ermal Hoxha ka deklaruar: U njoha me të drejtat që më jep ligji. Do të jap shpjegime dhe do t’i përgjigjem pyetjeve që do të më bëni në prani të avokatit të zgjedhur prej meje.

Pyetje: Prokuroria për Krimet e Rënda ka të vetin procedimin penal nr. 339 të vitit 2014. Në kuadër të këtij procedimi është bërë ndalimi juaj dhe i shtetasve Ilir Hyseni, Arjan Dalipi, Gentian Gjonaj, Kelmend Dalipi, Sajmir Batku, Cesar Avila, Walthe Moreno, Kastriot Ymeri, si të dyshuar për kryerjen e veprës penale të “trafikimit të narkotikëve”, në bashkëpunim, mbetur në tentativë, të “prodhimit dhe fabrikimit të lëndëve narkotike dhe psikotrope”, të “prodhimit, tregtimit dhe përdorimit të paligjshëm të prekursorëve”, të “mbajtjes, prodhimit dhe transportimit të substancave kimike”, si dhe të “grupit të strukturar kriminal”.

Çfarë keni për të thënë në lidhje mesa akuzoheni?

Përgjigje: Pyetjen e dëgjova, e kuptova por nuk e pranoj akuzën për shumë arsye. Po mbushen gati dy muaj që unë nuk jam njohur me asnjë provë për të cilat ju po më pyesni dhe së dyti, nuk kam kryer asnjë veprim që të përbëjë faj, për të cilin më akuzoni. Sqaroj se gjithçka që më është komunikuar lidhur me fajësinë time, e kam mësuar vetëm në seancat e zhvilluara për vlerësimin e masës së sigurisë. Sqaroj se, me këto probleme të ngritura në akuzë, kam marrë njoftim nëpërmjet avokatit, i cili në mënyrë të përmbledhur më ka vënë në dijeni me përmbajtjen e përgjimeve, raportet e vëzhgimeve si dhe me aktet e tjera që janë paraqitur në gjykatë.Përfundimisht theksoj se jam tërësisht i pafajshëm për ç’ka më atribuohet si vepër penale. –”Shqiptarja.com”

SHKARKO APP