Nis aplikimi për profesionistët e rinj të shëndetit
Para se të hyjnë në provimin e shtetit për të fituar licencën profesionale, të gjithë profesionistët e rinj të shëndetit të profileve infermieri, fizioterapi, teknik imazherie dhe laboratori, mami dhe logopedi, duhet të shlyejnë detyrimet e praktikës profesionale të sezonit të tretë (15 mars-15 qershor).
Autoritetet e Urdhrit të Infermierit kanë përcaktuar datat e pranimit të dosjeve për secilin kandidat që do t’i nënshtrohen praktikës me mbikëqyrje për secilin specialitet.
“Pas pajisjes me diplomë, të gjithë kandidatët do të bëjnë gati dosjen e tyre personale me dokumentet e mëposhtme dhe do të regjistrohen në qarkun përkatës për realizimin e Praktikës Profesionale me Mbikëqyrje. Regjistrimet do të zhvillohen në mënyrë strikte vetëm sipas datave të përcaktuara, nuk ka regjistrime në një profesion nëse data e tij ka kaluar”, bëjnë me dije drejtuesit e Urdhrit të Infermierit.
Në vijim të shkrimit gjeni kalendarin me datat kur duhet të paraqiteni për të bërë regjistrimin në secilin specialitet. Në dosjen e regjistrimit të praktikës duhet të përfshini:
“Kërkesë për anëtarësim (të cilën e shkruan vet personi i interesuar), diplomë dhe listë notash të noterizuar, fotokopje të kartës së identitetit, pesë fotografi, CV, vërtetimin e drejtuesit të Praktikës Profesionale (këtë e tërhiqni në momentin kur dorëzoni dosjen pranë zyrës përkatëse dhe e plotësoni te personi që caktohet nga Urdhri i Infermierit. Personi që plotëson vërtetimin do t’iu ndjekë gjatë praktikës tuaj. Tarifa që secili kandidat duhet të shlyejë për ndjekjen e praktikës është 3 000 lekë dhe duhet derdhur në një nga bankat e nivelit të dytë.
Pas dorëzimit të dosjes kandidatët pajisen me dy dokumentet kryesore që janë Libreza e praktikës, si dhe Karta e Identitetit Profesional. Librezën e praktikës profesionale përmban në pjesën e parë të saj informacion të përgjithshëm, si dhe temat në lidhje me provimin e praktikës. Në pjesën tjetër të këtij dokumenti bëhen shënimet për çdo ditë të praktikës nga profesionisti që është zgjedhur si mbikëqyrës nga ana e kandidatit. Kjo librezë pas përfundimit të praktikës, dorëzohet pranë zyrës ku është bërë regjistrimi fillestar së bashku me dokumentet të tjera.
Dokumenti tjetër është Karta e identitetit profesional, i cili është një dokument identifikimi profesional, e cila mbahet varur në përparëse gjatë ushtrimit të praktikës profesionale. Në përfundim të praktikës secili kandidat duhet të kalojë edhe testimin final, rezultatet pozitive të të cilit i hapin udhë vijimit të procedurave për dhënien e provimit tw shtetit, nwpwrmjet tw cilit merret edhe leja e ushtrimit tw profesionit.
Afatet e aplikimit sipas kategorive
- Në datat 1-4-5-6 mars do të paraqiten për të dorëzuar dosjet e tyre të gjithë infermierët që interesohen për ta filluar praktikën këtë sezon.
- Në datën 7 mars 2019, do të paraqiten për të dorëzuar dosjet e tyre të gjithë teknikët e imazherisë dhe teknikët e laboratorit që interesohen për ta filluar praktikën këtë sezon.
- Në datën 8 mars do të paraqiten për të dorëzuar dosjet e tyre të gjithë mamitë dhe logopedët që interesohen për ta filluar praktikën këtë sezon.
- Në datën 11 mars 2019 do të paraqiten për të dorëzuar dosjet e tyre të gjithë fizioterapeftët që interesohen për ta filluar praktikën këtë sezon.
- Regjistrimet do të zhvillohen në mënyrë strikte vetëm sipas këtyre datave, nuk ka regjistrime në një profesion nëse data e tij ka kaluar.
Dokumentet e nevojshme janë :
- Kërkesë për anëtarësim (të cilën e shkruan vet personi i interesuar).
- Diplomë dhe listë notash të noterizuar.
- Fotokopje të kartës së identitetit.
- Pesë fotografi.
- Një CV.
- Vërtetimin e Drejtuesit të Praktikës Profesionale (këtë e tërhiqni në momentin kur dorëzoni dosjen pranë zyrës përkatëse dhe e plotësoni te personi që caktohet nga UISH. Personi që plotëson Vërtetimin do t’iu ndjekë gjatë praktikës tuaj).
- Mandatin e pagesës prej 3,000 lekësh.
KOHA JONË SONDAZH

