Nis asfaltimi i Rr. Dibrës, Veliaj: Po hyjmë në fazën finale, faleminderit për mbështetjen
Rindërtimi i rrugës së Dibrës është futur në fazën finale, ku tashmë po hidhet edhe shtresa e asfaltit. Për të mos penguar qarkullimin e automjeteve në këtë segment mjaft të rëndësishëm të kryeqytetit që u shërben mijëra banorëve dhe është një nga portat hyrëse në Tiranë, punimet po realizohen me shpejtësi gjatë natës.
Kryebashkiaku Erion Veliaj ka postuar në twitter disa nga fotot e punimeve që po kryhen në segmentin nga “Farmacia 10” deri në Kinostudio, e cila para ndërhyrjes ishte totalisht e amortizuar dhe një shqetësim konstant si për drejtuesit e automjeteve, ashtu edhe për banorët e zonës prej pluhurit në verë apo baltës në sezonin e reshjeve. “Po ecim me ritme të shpejta për të asfaltuar Rr. Dibrës (Shkolla e Bashkuar). Pas ndërhyrjeve në blloqet e pallateve, trotuaret e korsitë e biçikletave, rrjetet ujë-energji-internet-kanalizime, po hyjmë në fazën finale! Faleminderit për durimin e mbështetjen”, shkruan Veliaj.
Në segmentin e Rrugës së “Dibrës” që nis nga “Farmacia 10” deri te rruga “Aleksandër Moisiu”, në afërsi të Kinostudios, deri tani janë bërë punime nëntokësore për kanalizimet e ujërave të zeza dhe të shiut, sistemi i asfaltit, trotuare të reja, ndriçim led. Kjo rrugë do të plotësojë edhe një standard tjetër pasi për herë të parë do të ndërtohet një korsi e dedikuar me tapet të kuq për biçikletat.
KOHA JONË SONDAZH

