Nis kaosi para zgjedhjeve, ndërhyn Greqia dhe informohet BE-ja. Dosja e Belerit mbërrin në SPAK
Në këtë të premte që shënohet edhe fundi i fushatës elektorale për zgjedhjet lokale që do të mbahen këtë të dielë, nisën edhe problemet, kjo dhe me kandidat në pranga. Rasti më i rëndë është në Himarë, ku kandidati i koalicionit ”Bashkë Fitojmë”, Fredi Beleri është arrestuar.
Sipas të dhënave të policisë së Vlorës, arrestimi i Belerit është bërë pasi ka konsumuar veprën penale të korrupsionit aktiv në zgjedhje, parashikuar nga neni 328 i kodit penal. Së bashku me Belerin, policia ka arrestuar edhe bashkëpunëtorin e tij, Pano Kokoveshi, për të njëjtën akuzë, ndërsa avokati u lirua disa orë pas shoqërimit.
Sipas kompetencës së parashikuar në ndryshimet e reja të kodit të procedurës penale në vendin tonë, hetimin e mëtejshëm ndaj kandidatit të koalicionit opozitar në Himarë, Fredi Beleri do ta zhvillojë SPAK, që ka autorizimin për hetimin e krimeve zgjedhore. Ndërsa pritet transferimi i tij, por edhe i dosjes penale në Tiranë.
Një sprovë të madhe për drejtësinë në prag të zgjedhjeve, e ka cilësuar kryeministri Edi Rama ndalimin e kandidatit të koalicionit “Bashkë fitojmë” për Himarën, Fredi Beleri. Në një reagim në Twitter, kreu i qeverisë thekson se shkelja e ligjit nga ana e tij duhet të jetë e provuar dhe ndalimi i tij ligjërisht i motivuar.
Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis tha se për këtë ngjarje ka informuar edhe Bashkimin Europian. Kurse kryediplomati grek, Dendias shprehet se nëse arrestimi është bërë pa prova të pakontestueshme, rasti është skandal. Nga kampi që është i prekur, Sali Berisha e quan një hakmarrje të verbër politike të Edi Ramës. Disa banorë që janë marrë në pyetje dhe njëra prej tyre tha se i janë ofruar 200 mijë lekë të vjetra në këmbim të tre votave.