Nis ndërtimi i bulevardit të ri në Kashar, Veliaj: Po çojmë deri në fund amanetin e artistëve të mëdhenj
Krahas Bulevardit të Ri te ish-stacionit të Trenit, edhe zona e Kasharit do të ketë shumë shpejt një bulevard, që do të lidhë Unazën e Re të Tiranës me rrugën “Tre Dëshmorët e Kombit”, duke rigjallëruar gjithë zonën, si nga ana ekonomike, ashtu edhe nga ajo sociale. Bashkia e Tiranës ka nisur ndërtimin e dy rrugëve “Migjeni” dhe “Kadri Roshi”, që do të jenë të pajisura me infrastrukturën e nevojshme nëntokësore, trotuare, ndriçim dhe sinjalistikë.
“Deri para 3 vitesh, kjo ishte një zonë fshati, quhej Kashar, ndërkohë që realiteti ishte krejt ndryshe. Në letrat e bashkisë, kjo ishte një zonë me vetëm 7 mijë banorë, ndërkohë në realitet këtu jetojnë mbi 70 mijë banorë. Të njëjtin bulevard që shohim në qendër të Tiranës, pra bulevardi me 6 korsi, 2 për makinat nga secili krah dhe nga një autobusi në secilin krah, plus biçikletat, të njëjtën cilësi dhe standard do të kemi edhe këtu në Kashar”, tha Veliaj.
![]()
Ai nënvizoi se ndryshimi që po ndodh në shumë zona të kryeqytetit është pasojë e ndërhyrjes së Bashkisë së Tiranës në çdo lagje. Veliaj theksoi se ashtu si po ndërhyhet për të ndërtuar Rr. “Kadri Roshi” në Kashar, e njëjta gjë do të ndodhë edhe me Teatrin e ri Kombëtar, për t’i dhënë kryeqytetit një godinë dinjitoze.
“Fabula që përfshihet në një emër si ai i të madhit Kadri Roshi përfshin në fakt edhe të gjithë punën që bëjmë në Bashkinë e Tiranës. Duke vënë dorë, gjërat përmirësohen, duke i lënë për nostalgji, gjërat degradohen. Po punojmë edhe në rrugën “Kadri Roshi”. Jam i sigurt se mund të ketë njerëz që për nostalgji thonë se rruga e aktorit të madh s’duhet të preket. Sot është në fakt një rrugicë, si monopat. Duke e kthyer në rrugë me standarde i bëjmë nder edhe emrit të Kadri Roshit. E njëjta gjë vlen edhe për teatrin. Nëse nuk vëmë dorë është e kotë të ‘krenohemi’ për artistët e mëdhenj, nëse nuk arrijmë të çojmë amanetin e tyre deri në fund, për një qytet dinjitoz, për një teatër dinjitoz, për varreza dinjitoze apo për rrugë dinjitoze, që mbajnë emrat e tyre”, tha Veliaj.
Bulevardi “Migjeni” do të lidhet me një rrjet rrugësh, të cilat kanë nisur të ndërtohen nga Bashkia e Tiranës. Kryebashkiaku siguroi se urbanizimi do të prekë edhe ato zona të cilat si pasojë e keqadministrimit nga ish-komunat kanë mungesa në infrastrukturë.
![]()
“Kemi disa realitete që bashkëjetojnë në Tiranë. Tek zona e Trenit kemi bulevard pa qytet, kurse te zona e Kasharit kemi qytet pa bulevard; ndaj është koha që atje ku është bulevardi, të vijë edhe qyteti, dhe KKT-ja sapo ka miratuar planin e madh të bulevardit. Ndërkohë, këtu ku kemi qytet pa bulevard, t’i ofrohet infrastruktura e shërbimeve. Jam shumë i lumtur që kemi mbërritur në këtë ditë, ku po ndërtojmë bulevard në Kashar, dhe në njëfarë mënyre rikuperojmë defektet të urbanistikës së kaluar, nga koha e ish-komunës”, tha ai, teksa nënvizoi se investimet e reja do të rrisin edhe vlerën e pronës së qytetarëve dhe të bizneseve.
(BalkanWeb)
KOHA JONË SONDAZH

