Nis nga prilli, Ahmetaj: Doganat, 24 orë shërbim online për eksportuesit
Ministrat Ahmetaj dhe Qato zhvilluan dje një tryezë diskutimi me sipërmarrjen për ofrimin e shërbimeve online dhe reduktimin e burokracive në licenca, lejet dhe autorizimet.
Më herët, qeveria lançoi nisjen e vlerësimit doganor online, ku biznesi nuk do të ketë më kontakte me doganierët. Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, deklaroi se nga muaji prill të gjithë eksportuesit do të marrin shërbim 24 orë në dogana online.
“Brenda mesit të prillit do të fusim edhe shërbimin e eksportit dhe kjo do të bëjë që të ketë shërbim eksporti 24 orë. Një nga arsyet pse nuk kemi pasur shërbim eksporti 24 orë, është sepse agjencitë e mbyllin në orën 20:00 apo 21:00 dhe nuk operojnë më. Tani, nëpërmjet shërbimit online, agjencitë kanë mundësi që edhe 24 orë të bëjnë shërbimin e eksportit për ju, ndërkohë qendra doganore e vlerësimit do të funksionojë”, u shpreh Ahmetaj. Reforma e qeverisë për derregullimin do të përfshijë edhe reduktimin e licencave dhe autorizimeve.

Ministri Ahmetaj tha se së shpejti do të hiqen 10 licenca nga 95 licenca që lëshojnë sot institucionet. Ministri i Financave dhe i Ekonomisë u shpreh se reforma për heqjen e burokracive do t’i kursejë kohë biznesit.
“Në 1 tetor, unë kam nxjerrë një urdhër, një listë prej 13 dokumentesh, që nuk do të kërkoheshin më nga administrata për qytetarët dhe sipërmarrjen, por do të gjeneroheshin nga zyrat e shtetit. Me një përllogaritje të thjeshtë që bëmë, këto 13 dokumente, në një vit janë lëshuar rreth 600 mijë herë. Koha e kursyer e bizneseve është 56 vite në një vit. Pra, imagjinoni për ato 13 dokumente të gjeneruara gati 600 mijë herë, koha e kursyer është 56 vite në një vit”, u shpreh ministri Ahmetaj.
BREGASI
Reforma e qeverisë për heqjen e burokracive është mbështetur edhe nga biznesi. Presidenti i BiznesAlbania, Luan Bregasi, vlerësoi se lehtë- simi i procedurave me shërbimet online do të rrisin besimin e sipërmarrjes tek administrata dhe do të nxisin punë- simin në sektorin privat.
“Me këto masa që po merren këto kohë, kuptojmë që keni gjetur çelësin e marrëdhënieve mes administratës dhe biznesit, që administrata duhet shmangur sa më shumë, të këtë më shumë shërbime online për sipërmarrjen, duke e lehtësuar atë. Projekti i ri do të krijojë raporte të reja me sipërmarrjen, do të rrisë besimin tek administrata shtetërore, te të bërit biznes dhe ne do të ndihemi më mirë se më parë. Projekti na nxit të mendojmë edhe më shumë për propozimet tona. Nga ana tjetër, lehtësimi i procedurave hap dyert për rritjen e punësimit në privat”, tha Bregasi.
Presidenti i BiznesAlbania, Bregasi, tha se së shpejti biznesi do t’i rekomandojë qeverisë propozimet për reduktimin e licencave dhe lejeve. “Zhdoganimi për 20 minuta është një gjë shumë e mirë. 80 për qind e bizneseve që rrinin në radhë për të zhdoganuar mallin dhe janë futur në këtë kanal, është një lajm shumë i mirë. Ju e keni marrë shumë seriozisht këtë gjë, por edhe ne sipërmarrësit duhet ta marrim më seriozisht për t’ju propozuar juve shqetësimet që ka biznesi, për të lehtësuar më shumë edhe gjëra të tjera, që juve nuk ju ka shkuar mendja”, u shpreh Bregasi.
QATO
Ministrja e Sipërmarrjes, Sonila Qato, tha se procedurat për dhënien e licencave nuk do të zgjasin më 6 muaj apo deri në 2 vjet. “Nuk synojmë të eliminojmë vetëm ato leje, certifikata, licenca dhe autorizime, që lëshohen nga administrata, por duam që t’i japim shumë rëndësi faktit se si përfitohen ato nga ana juaj. Nëse deri më sot, procesi i marrjes së një licence ngarkon sipërmarrësin me barrën e provës për plotësimin e dokumenteve të tjera deri në ekzekutimin e kësaj leje një proces që zgjat 6 muaj deri në 2 vjet, vullneti i qeverisë është që barra e provës të jetë e vetë administratës, që do të thotë se, nëse dikush nga ju do të kërkojë të pajiset me një leje, do të jetë zyra përkatëse ajo që do të marrë masa për vërtetuar nëse kjo leje plotëson kushtet për t’u lëshuar. Thjeshtëzimi i burokracive do të luftojë korrupsionin dhe do të japë efekte në mjedisin e të bërit biznes”, u shpreh Qato.
/panorama
KOHA JONË SONDAZH

