Nis Panairi i Librit, edhe këtë vit mungojnë emrat e mëdhenj të letërsisë
Panairi i Librit ka nisur me pritshmëri të larta te botuesve por edhe me interes të shtuar të lexuesve të cilët kanë vizituar stendat që në orët e para të çeljes së edicionit të 21.
Edhe këtë vit panairit do t`i mungojë prezenca e emrave të mëdhenj të letërsisë shqiptare dhe asaj të huaj. Botuesit thonë se për t`i ftuar ata në këtë ngjarje të rëndësishme kulturore nevojiten shuma të mëdha parash.
Loreta Berhami, Botuese: Do ishte mirë që të kishte më shumë autorë që flisnin. Autorë shqiptarë ka. Autorë të huaj kanë problem fondet. Të sjellësh një autor të huaj në Shqipëri për një apo dy ditë është një ndërmarrje e shtrenjtë.
Edhe pse ditët e panairit janë ta arta për botuesit, ato nuk mjaftojnë për të mbajtur gjallë këtë veprimtari. Në këto kushte ata ngrenë një tjetër shqetësim që është mbyllja e librarive.
Loreta Berhami, Botuese: Trendi i mbylljes së librarive nuk është një trend që i përket vetëm Shqipërisë, nëpër botë është edhe më i përhapur. Janë bërë qiratë më të shtrenjta.
Për të afruar më shumë lexuesin me librin por edhe për të zhvilluar edhe këtë industri që i shërben gjithë shoqërisë kërkohet më tepër vëmëndje dhe mbështetje financiare.
Luan Pengili, Botues: Libri artistik është shumë delikat. Ka vështirësi në fonde dhe gjithcka, prandaj duhet respektuar sa më tepër.
Edicioni i 21 i librit do të shoqërohet edhe me takime, forume mes botuesve, shkrimtarëve dhe lexuesve.
/Ora News