Nis sot lirimi i të dënuarve që përfitojnë leje të përkohshme 3-mujore, 494 aplikime

Ka nisur sot lirimi i të dënuarve që përfitojnë leje të përkohshme tremujore nga situata e krijuar nga Covid-19.

Në të gjitha burgjet kanë aplikuar 494 të dënuar nga 600 të tillë që plotësonin kushtet për të përfituar nga kjo nismë e qeverisë.

Ata duhet të jenë mbi 60 vjeç apo të sëmurë kronikë mund të përfitojnë nga akti normativ i qeverisë për leje te përkohshme për tre muaj.

Në një dalje për mediat Ministria e Drejtësisë Etilda Gjonaj sqaroi se të burgosurit duhet të plotësojnë disa kushte dhe duhet t’i paraqesin një kërkesë administratës së burgut dhe miratimi apo refuzimi vjen pas 5 ditësh.

“Ata që do të përfitojnë duhet t’u kenë mbetur 3 ose më pak vite burgim, të mos jenë dënuar për vepra të rrezikshme penale dhe të mos jenë nën hetim për vepra të tjera. Gjithashtu do të përfitojnë edhe të burgosurit që u kanë mbetur 5 ose më pak vite burgim, por duhet të jenë mbi 60 vjeç ose me sëmundje kronike.”

Por krahas dëshirës së të dënuarit për të përfituar një leje të tillë duhet edhe pëlqimi i familjarëve të të dënuarit.

“Të burgosurit që do të përfitojnë do të nënshkruajnë një deklaratë, ku tregohet pëlqimi i familjarëve për t’i mbajtur në shtëpi.”

Të dyja kategoritë përfitojnë nëse nuk janë dënuar për vepra penale të rrezikshmërisë së lartë.

SHKARKO APP