Nis stuhia e ndëshkimit ndaj gjyqtarëve të korruptuar.Ka nevojë edhe me lart për pranga!

 

Tingëllon si lajm nga një vend i BE dhe jo nga Shqipëria! Një gjyqtar është arrestuar sot në orë 14:00 në Tiranë, pasi akuzohet për korrupsion. Është ndër rastet e rralla kur prangat u vihen në duar njerëzve të drejtësisë. Sistemi i drejtësisë është ndër më të korruptuarit në vend, sipas sondazheve, por edhe më pak i penalizuari. Rastet e arrestimit të gjyqtarëve janë më pak sesa gishtat e njërës dorë. Disa muaj më parë nisi procedimi penal për gjyqtarin Pogradecit, por akuza që rëndonte mbi të ishte gati “banale”. Kishte përfituar 200 mijë lekë të vjetra për një proces gjyqësor civil.  

Ndërsa sot me urdhër të Prokurorisë së Krimeve të Rënda gjyqtari Rasim Doda u prangos në Tiranë. Arresti ka ardhur vetëm pak orë pasi Këshilli i Lartë i Drejtësisë votoi pro arrestimit të tij. Derisa të përfundoi procesi ndaj Dodës, si gjithë qytetarët e tjerë që kanë probleme me ligjin, ai është vetëm një i dyshuar. Megjithatë, nëse i hedh një sy dosjes dhe akuzave publike ndaj tij, Rasim Doda është shembulli i njeriut të drejtësisë që vetëm për drejtësi nuk ka menduar gjatë punës së tij.

Në vitin 2009, Doda është paditur nga ish-kryeprokurorja Ina Rama për shkelje të rënda në detyrë. Në vitin 2010 ndaj tij është regjistruar një padi për veprën penale të fyerjes. Rasti i fundit që ka sjellë dhe “zgjimin nga gjumi” të KLD-së është akuza për korrupsion lidhur me një çështje ku gjyqtari ka kërkuar një shumë të konsuderueshme parash. Me të paktën tre raste flagrante gjyqtari i Sarandës rezulton të jetë modeli i gjyqtarit problematik. Modeli i gjyqtarit për të cilin njerëzit ankohen në çdo proces dhe që para se të mendoj për ligjin mendon për përfitimin që mund të marrë nga një çështje.

Vendimi i Këshillit të Lartë të Drejtësisë hap një kapitull të ri në gjyqësorin shqiptar. Është një sinjal se kanë nisur të ndëshkohen të paprekshmit. A është rasti i Sarandës i vetmi? Mjafton të shohësh njerëzit që ankohen në dyert e gjykatave dhe në media për vendimet e drejtësisë dhe kupton se precedentë të tillë janë më shumicë në drejtësinë shqiptare. Madje, janë aq shumë sa kanë bërë pis dhe ata juristë dhe gjyqtarë që zbatojnë në mënyrë korrekte ligjin. Për të ndarë këto kategori gjyqtarësh dhe për të pastruar sistemin, KLD nuk duhet të mjaftohet vetëm më gjyqtarin e Sarandës. Në çdo gjykatë rrethi, apo në Gjykatat e tjera të rëndësishme ka raste pa fund. Nëse duhen emra, mjafton të shihen llogaritë bankare, udhëtimet jashtë shtetit, pushimet luksoze, makinat e serisë së fundit dhe pasuritë pa fund që kanë në gjithë Shqipërinë, e jashtë saj. Të korruptuarit janë aty dhe ç’është më e keqja, bëjnë ligjin apo e zbatojnë atë siç u teket.

Sot KLD-ja nisi stuhinë e ndëshkimit. Një lajm i mirë që vjen nga një sistem që është kthyer në gangrenë të gjithë shoqërisë. Nëse institucionet dhe njerëzit e përgjegjshëm janë zgjuar më në fund, ky është vetëm fillimi. Të tjerë gjyqtarë edhe më lartë në hierarkinë e gjyqësorit e kanë radhën. Raste ka pa fund, mjafton që lufta ndaj korrupsionit të jetë seriozisht dhe të mos ndalet vetëm tek një gjyqtar. Në të kundërt nuk kemi të bëjmë me reformë apo stuhi, por vetëm me një “puhizë” që rrëzon më të dobëtit. Thënë ndryshe, gjyqtarët e korruptuar me më pak mbështetje. 

SHKARKO APP