Nis vaksinimi masiv në Korçë dhe në Elbasan
Ditën e sotme ka nisur vaksinimi masiv në Njësinë Vendore të Kujdesit Shëndetësor të Korçës.
Sipas drejtorit të kësaj njësie, Mikel Llogori, ditën e parë të këtij vaksinimi masiv do të kryhen 400 vaksina.
Ndërkohë që vaksinimi do të shtrihet në 19 qendra shëndetësore që nga zonat më të thella malore deri tek ato të fushës.
Ditën e sotme janë vaksinuar të moshës +80 dhe +90 por në këtë proces që në ditën e parë janë përfshirë edhe mosha të tjera.
Nga dita e hënë bëjnë me dije burime zyrtare, procesi i vaksinimit do të vijojë me dozën e dytë me personelin shëndetësor dhe atë arsimor.
Po ashtu, drejtoria e Kujdesit shëndetësor parësor në Elbasan bën me dije së nga sot ka filluar procesi i vaksinimit masiv të popullatës.
Sipas drejtorit të këtij institucioni, Xhevahir Budani për qarkun e Elbasanit janë caktuar 11 mijë doza nga të cilat 8 mijë do të aplikohen vetëm për bashkinë e Elbasanit ndërsa pjesa tjetër do të shpërndahet në bashkitë e tjera të qarkut.
Vaksinimi do të kryhet në të gjitha qendrat shëndetësore sipas planifikimit të bërë nga mjeku I familjes për grupmoshat nga 50 deri në 90-vjeç.
Pavarësisht thirrjeve të mëparshme dhe sigurisë së vaksinave shumë qytetarë ende hezitojnë që ta marrin edhe pse janë në kategoritë përfituese.