Nis vjelja e gjobave për maskat, detyrimi te fatura e dritave
OSHEE ka nisur të vendosë në faturën e energjisë elektrike detyrimin për pagesën e gjobave për mosrespektimin e masave anti-covid. Drejtuesit e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, kanë bërë të ditur se në shkurt do të faturohen të gjitha gjobat e vendosura që prej fundit të muajit tetor, në bazë të listës së dërguar nga Policia e Shtetit.
Gjatë katër muajve të fundit janë vendosur 55800 gjoba për mosrespektim të masave antiCovid. Por pas verifikimeve të kryera nga OSHEE, ka rezultuar se 22 mijë shkelës nuk rezultojnë abonentë individual të operatorit të energjisë, si dhe kanë pasaktësi të tjera në të dhëna. Gjobat e tyre i janë kthyer mbrapsht Policisë së Shtetit.
Drejtuesit e OSHEE shpjegojnë se për pretendimet lidhur me gjobat për mosrespektimin e masave antiCovid, qytetarët duhet t’i drejtohen Policisë së Shtetit, pasi operatori i shpërndarjes së energjisë, sipas aktit normative të nxjerrë nga qeveria, është vetëm zbatuesi në këtë proces.