Nishani apel shqiptarëve: Merrni pjesë masivisht në zgjedhje

 

Presidenti Bujar Nishani përmes një mesazhi drejtuar qytetarëve shqiptarë i kërkon atyre pjesëmarrje masive në zgjedhjet vendore të 21 Qershorit.

Dy ditë përpara zhvillimit të procesit zgjedhor, Kreu i Shtetit thekson se indiferenca, mospjesëmarrja, e ca më keq shitblerja e votës, investojnë papërgjegjshmërinë e pushtetit.

“Thirrja ime për ju, të nderuar qytetarë të vendit tim, është të merrni pjesë në mënyrë masive në votime, të ushtroni lirisht dhe vendosmërisht të drejtën tuaj sovrane të zgjedhjes, të vendosni me vote të lirë mbi alternativën më të mirë për bashkinë tuaj për të orientuar politikë-bërjen drejt shqetësimeve tuaja, për të ndryshuar dhe përmirësuar jetën tuaj. Ky është misioni, kjo është detyra e çdo qytetari të përgjegjshëm. Vota e lirë i jep jetë gjykimit publik të pushtetit, i jep jetë llogaridhënies së drejtuesve të zgjedhur para qytetarëve. Indiferenca, mospjesëmarrja, e ca më keq shitblerja e votës, investojnë papërgjegjshmërinë e pushtetit”, shprehet Nishani.

Ndërsa ka përgëzuar kandidatët garues për 61 bashkitë e ardhshme të vendit për promovimin e vlerave më të mira të komuniteteve të tyre dhe programet ambicioze, Nishani një apel ka dhe për udhëheqësit politikë.

“Si President i Republikës dëshiroj t’u bëj thirrje udhëheqësve politikë që të përcjellin mesazhet e tyre pozitive ndaj votuesve në epilogun e kësaj fushate, duke i ftuar ata të shprehen qetësisht për alternativat më të mira të propozuara nga kandidatët në përputhje me garancitë kushtetuese të ballafaqimit të drejtë dhe të barabartë.

Në këtë kontekst, të gjitha palët kanë përgjegjësinë e një reflektimi pozitiv. Qeveria ka një përgjegjësi të shtuar në këtë rast edhe për rolin që ajo ka në organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve.

Shpreh besimin tim se Kryeministri do të përcjellë mesazhin e tij mbi garantimin e lirisë së zgjedhjes së qytetarëve, mbi paanshmërinë e Policisë së Shtetit dhe Administratës Publike, mbi garantimin e lirive dhe të drejtave të sanksionuara në Kushtetutë si dhe mbi detyrimin e tij për të garantuar bashkëpunimin dhe pa ndikuar të qeverisë qendrore me të gjithë kandidatët fitues”.

Presidenti nënvizon se testi zgjedhor i datës 21 qershor, thuajse një vit nga marrja e Statusit të Vendit Kandidat, duhet të shërbejë si investimi ynë kryesor për çeljen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

 

"Është një fakt i padiskutueshëm se proceset zgjedhore në Shqipëri që nga viti 1992 e këndej kanë qenë promotori i zhvillimeve demokratike në vend. Vota e lirë ka qenë dhe mbetet lokomotiva e këtyre zhvillimeve.

Zgjedhjet e lira, pavarësisht problemeve të shumta, kanë konsoliduar e lartësuar standardin e llogaridhënies nga ana e të zgjedhurve, kanë rritur vetëdijen e qytetarëve për vlerën dhe rëndësinë e jashtëzakonshme të votës.

Në thelb, megjithë zig-zaget e njohura, kjo është një histori suksesi, që duhet ta çojmë përpara me vendosmëri në zgjedhjet e së dielës e në vijimësi, duke synuar standardet zgjedhore më të përparuara evropiane.

Unë shpreh bindjen se shqiptarët do të gjejnë forcën dhe kurajën për të dhënë shembullin dhe kontributin e tyre të pakursyer ndaj demokracisë në vend. Vota e lirë është fitorja e padiskutueshme e demokracisë.

 

Testi zgjedhor i datës 21 qershor, thuajse një vit nga marrja e Statusit të Vendit Kandidat, duhet të shërbejë si investimi ynë kryesor për çeljen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Duke marrë shkas nga denoncime dhe të dhëna të ofruara edhe nga deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, dhe jo vetëm, gjej rastin t’u drejtohem me besim të plotë drejtuesve të administratës zgjedhore, të organeve të pavarura dhe të Policisë së Shtetit, nëpunësve të Administratës Publike dhe shoqërisë civile, të jenë të angazhuar në punën e tyre të përditshme në përputhje me ligjet e vendit, në funksion të mbarëvajtjes së procesit.

Dëshiroj të theksoj se roli i tyre në këtë proces është thelbësor dhe vazhdimisht i monitoruar nga partnerët tanë ndërkombëtarë, siç dhe evidentohet nga raporti i ndërmjetëm i Misionit Vëzhgues të OSBE/ODIHR-it.

Çdo veprim në kundërshtim me ligjet e vendit dhe parimet demokratike është në dëm të procesit zgjedhor në tërësi, aq të rëndësishëm për rritjen e besueshmërisë ndaj institucioneve dhe çeljen e ardhshme të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian", thekson Nishani.

SHKARKO APP