Nishani: Basha tenton të mbajë peng PD-në! Sot duhej të merrte përgjegjësinë e dështimit të tij personal prej 8 vitesh
Ish-Presidenti i Republikës, tashmë në funksionin e kreu të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Bujar Nishani, shprehet se rezultati i zgjedhjeve ishte zhgënjim dhe dëshpërim i madh për votuesit dhe mbështetësit e opozitës si dhe një mundësi e pashfrytëzuar për ndryshimin e shumëpritur.
Përmes një mesazhi të përcjellë në faqen e tij zyrtare në rrjetet sociale, Nishani deklaron Sot Edi Rama mban peng Shqipërinë dhe Lulzim Basha tenton të mbajë peng Partinë Demokratike.
“Të dashur miq, rezultati i zgjedhjeve ishte zhgënjim dhe dëshpërim i madh për votuesit dhe mbështetësit e opozitës si dhe një mundësi e pashfrytëzuar për ndryshimin e shumëpritur. Qeverisja e korruptuar e Edi Ramës do të vijojë të mbajë pushtetin përsëri, pas 8 viteve të skandaleve e dështimeve!
Sot është momenti që Partia Demokratike të çlirohet nga shembulli i paaftësisë dhe modelit që po e asgjëson atë pak nga pak. Sot është momenti që Partia Demokratike të lihet e lirë për t’u ringritur në madhështinë që i takon si Parti e Lirisë dhe Rinisë.
Sot përgjegjësi kryesor i 4 humbjeve politike rradhazi vendosi ta mbajë peng Shtëpinë e Lirisë në interes të pushtetit të tij personal! Basha sot duhej të merrte përgjegjësinë e dështimit të tij personal prej 8 vitesh! Sot Edi Rama mban peng Shqipërinë dhe Lulzim Basha tenton të mbajë peng Partinë Demokratike.
Partia Demokratike nuk është pronë personale e një njeriu. Ajo është Shtëpia e Lirisë e qindra mijëra shqiptarëve. Askush nuk do të mundet ta marrë atë peng për asnjë arsye, në asnjë formë e me asnjë çmim!
#MakePDGreatAgain 🇦🇱 !”, deklaron Bujar Nishani.