Nishani dekoron klerikët e besimit bektashian

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani vlerësoi sot me Dekoratën “Flamuri Kombëtar” ish­-Kryegjyshin Botëror Haxhi Dede Reshat Bardhi (pas vdekjes) për sakrificën e lartë në ruajtjen dhe kultivimin e besimit bektashian gjatë regjimit komunist; kontributin në forcimin e lidhjeve dhe harmonisë ndërfetare në Shqipëri si dhe për rolin udhëheqës në ringjalljen e këtij besimi në vitet ’90­-të të shekullit XX.

Gjatë ceremonisë së zhvilluar në mjediset e Presidencës, Nishani nderoi gjithashtu ish­Kryegjyshin Botëror Kamber Ali Dede (pas vdekjes) me Dekoratën “Nderi i Kombit” për qëndrimin stoik dhe besnikërinë e palëkundur ndaj besimit bektashian si dhe për sakrificën sublime nën kushtet e egra të terrorit komunist, si dhe Kryegjyshin Botëror Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” në vlerësim të kontributit të shquar dhënë për ruajtjen dhe vazhdimin me besnikëri të traditave më të vyera bektashiane si dhe konsolidimin e Selisë së Shenjtë Botërore me qendër në Tiranë.

Presidenti Nishani si përfaqësuesi më i lartë i institucioneve të shtetit shqiptar shprehu vlerësimin dhe mirënjohjen personale dhe institucionale ndaj besimit fetar, mirësisë që sjell ai në jetën tonë të përditshme.
 
“Jo më larg se dje, – u shpreh Presidenti, – në prani të qindra miqve të ardhur nga shumë vende të rruzullit në kuadër të Takimit Ndërkombëtar “Paqja është gjithmonë e mundshme” me rastin e përvjetorit të njëzetë të rivendosjes së paqes në Ballkan pata mundësinë dhe kënaqësinë t’u drejtohem atyre duke nënvizuar me krenari atë që tashmë është pjesë e identitetit tonë kombëtar: Tolerancën dhe harmoninë fetare që ekziston midis besimeve fetare në Shqipëri! Them me krenari, sepse toleranca dhe harmonia përbëjnë një vlerë dhe një e vërtetë më se e padiskutueshme e të kulluar shqiptare!”.
 

SHKARKO APP