Nishani: Emigrantëve mos t’u ngrihen mure, por t’u jepen zgjidhje

 

Kreu i shtetit, Bujar Nishani priti sot në Presidencë Avokatët e Popullit të vendeve të Europës, të cilët janë mbledhur në Tiranë në kuadër të konferencës “Garantimi i të drejtave të kërkuesve të mbrojtjes ndërkombëtare”.

Duke iu referuar krizës së emigrantëve, presidenti Nishani u kërkoi atyre që rekomandimet të përfshijnë edhe shkaqet që detyrojnë qytetarët të lënë vendet e tyre.

"Dëshiroj të theksoj në pikëpamjen time se po aq e rëndësishme sa ndihma për të kaluar momentet e para është edhe analiza, vlerësimi dhe rekomandimi jo vetëm për të identifikuar, por edhe kuruar arsyen se pse i kanë bërë këta njerëz të largohen në mes të një trauma jo vetëm fizike, por më së shumti psikologjike", tha Nishani.

Sipas kryetarit të shtetit, zgjidhja nuk duhet të shihet te ngritja e barrierave për të penguar emigrantët, por te bashkëpunimi për t'u ofruar atyre mbështetje.

"Do të ishte e vështirë të besohej një zgjidhje e drejtë, reale dhe fondamentale përmes barrierave që do të ngrihen, barrierave përmes mureve, barrierave që ngrihen në det, pa pasur një analizë një platformë dhe një strategji të dimensionit politik, social dhe njerëzor", shtoi ai.

Presidenti ndau gjithashtu bindjen se rekomandimet do të reflektojnë në politikat e vendeve europianë për krizën e emigrantëve.

SHKARKO APP