Nishani: Kristo Frashëri, vlerë e patjetërsueshme kombëtare

“Jam i bindur se kujtimi dhe vepra e tij e paarritshme në fushën e historisë dhe vlerave të patjetërsueshme kombëtare do të mbeten një pasuri e çmuar dhe e përjetshme për të gjithë shqiptarët kudo ndodhen”.

Kështu citon Presidenti i Republikës, Bujar Nishani nëpërmjet një mesazhi të bërë publik, ku u shpreh ngushëllimet e sinqerta familjarëve të historianit të njohur dhe akademikut Kristo Frashëri, i cili ndërroi jetë në moshën 96-vjeçare.

“Lajmi i ndarjes nga jeta i Profesor Kristo Frashërit më ka prekur jashtëzakonisht thellë dhe kjo është një humbje e madhe dhe e pazëvendësueshme për shkencën dhe historinë shqiptare. Në këto çaste të dhimbshme, më lejoni t’ju përcjell ngushëllimet më të sinqerta personale dhe institucionale për humbjen e jetës së njeriut tuaj të shtrenjtë!

Emri i nderuar i Kristo Frashërit u rendit me dinjitet përkrah emrave të shquar të historianëve shqiptarë duke shndritur me shkëlqimin e vet të veçantë shkencor, filolog dhe vetitë e tij të rralla njerëzore.

Jeta, vepra dhe puna shkencore e tij në trajtimin e temave nga historia, zhvillimi ekonomik, problemet shoqërore, mendimi filozofik dhe lëvizja kulturore shqiptare ku spikasin punimet shkencore të botuara  mbi ‘Lidhjen e Prizrenit 1878-1881’; ‘Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Jeta dhe vepra’; “Historia e Tiranës”; ‘Identiteti kombëtar i shqiptarëve’; ‘Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë, 28 nëntor 1912”; ‘Historia e qytetërimit shqiptar’ janë dhe do të mbeten dokumente të vyera për të gjithë brezat e ardhshëm të kombit shqiptar”, shkruan gjithashtu Nishani.

 

SHKARKO APP