Nishani uron besimtarët myslimanë për Fiter Bajramin

Presidenti Bujar Nishani, në kuadër të festës së Fiter Bajramit, ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë.

“Është një kënaqësi e madhe dhe privilegj për mua, që në cilësinë e Kryetarit të Shtetit t’ju uroj nga zemra: Gëzuar Festën e Fiter Bajramit. Fiter Bajrami apo siç e kemi zakon ne shqiptarët ta quajmë, Bajrami i Madh, troket në dyert dhe vatrat tona familjare menjëherë pas Muajit të madhërishëm të Ramazanit, periudhës së shenjtë gjatë së cilës myslimanët e devotshëm anembanë botës kanë agjëruar duke sakrifikuar dhe duke u përpjekur të ripërtërijnë vlerat më të mira shpirtërore dhe njerëzore’, thuhet në mesazhin e urimit të Presidentit Nishani.

Sipas Nishanit, kemi detyrimin fetar dhe shpirtëror që t’u qëndrojmë pranë e të ndihim më të pafatët, më të vobektët, më të pafuqishmit e më të vetmuarit në mënyrë që të gjithë ne, duke bashkuar lutjet, besimin e palëkundur tek i Plotfuqishmi dhe tek vlerat më të mira njerëzore, të përpiqemi kush më shumë e kush më pak, për ta bërë botën në të cilën jetojmë, më të mirë e më të paqtë, më të begatë e më të bukur, edhe për fëmijët tanë si dhe brezat e ardhshëm.

“Kështu që pas muajit të agjërimit e të sakrificës suaj, të paqtimit e dashurisë pa interes për njëri- tjetrin si dhe duke pasur parasysh njërin prej virtyteve më të vyera të popullit shqiptar: bashkëjetesën dhe harmoninë fetare, dëshiroj me gjithë zemër duke ju uruar edhe njëherë ju, besimtarëve myslimanë si dhe të gjithë shqiptarëve, sa më shumë urtësi, harmoni, shëndet, mbarësi dhe mirësi’, uron kreu i shtetit.

SHKARKO APP