Nishani vlerëson “Nderi i Kombit” shoqatën “Labëria”, Haxhi Dalipi “Mjeshtër i Madh”

 

Në një ceremoni solemne Kreu i Shtetit, Bujar Nishani vlerësoi sonte me Dekoratën “Nderi i Kombit”, në 24-vjetorin e themelimit të saj Shoqatën Kulturore Atdhetare “Labëria” “Për ndjenjën e lartë patriotike, për forcimin e unitetit kombëtar dhe frymën e solidaritetit dhe harmonisë pa dallime partiake, për forcimin dhe përparimin e demokracisë, si dhe për ruajtjen e pasurimin e traditave, zakoneve, kulturës dhe folklorit të trevës së Labërisë”.

Gjithashtu në këtë veprimtari nderimi të vlerave të rralla dhe kulturës së Krahinës së Labërisë në të cilën ishin të pranishëm deputetë, Kryetari i KLSH-së Bujar Leskaj, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve Baba Edmond Brahimaj si dhe anëtarë të shumtë të Shoqatës, Presidenti Nishani nderoi Ago Nezhën meTitullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” “Për veprimtari të pasur krijuese, për kontribut të çmuar si publicist dhe veprimtar shoqëror dhe për angazhimin e treguar në lartësimin e vlerave atdhetare, etnokulturore të trashëgimisë, si dhe në pasqyrimin e traditave, kulturës dhe historisë të trevës së Labërisë”; Petrit Rukën me Titullin “Mjeshtër i Madh” “Për krijimtarinë e tij letrare dhe kinematografike, si poet, skenarist, shkrimtar e publicist i shquar” si dhe Haxhi Dalipin (pas vdekjes) me Titullin “Mjeshtër i Madh” me motivacionin “Për kontributin e tij të vyer në krijimin e grupeve polifonike të Labërisë duke zbuluar vlerat e këngëve historike për të ruajtur traditat e trevës së Kaonisë”

Në përshëndetjen e rastit, Presidentit të Republikës, tha mes të tjerash se vlerësime të tilla synojnë promovimin dhe përhapjen e vlerave më të mira të trevave shqiptare si dhe mbajtjen gjallë të traditave tona të vyera identifikuese kombëtare e të trashëgimisë kulturore duke i përçuar ato tek brezat e ardhshëm. “Për më tepër që në radhët tuaja numëroni shkencëtarë si Prof. Dr. Ago Nezha, kineastë, publicistë dhe letrarë aq të zotë si mjeshtri Petrit Ruka, studiues dhe hulumtues të këngëve historike, të polifonisë aq të veçantë labe – trashëgimi kulturore e UNESCO-s, ruajtës të traditave aq të vyera të Kaonisë si i kujdesshmi Haxhi Dalipi” – nënvizoi Kreu i Shtetit.

SHKARKO APP