Nisin hetimet në SHBA, cili është përbërësi që shkakton reaksionet alergjike në vaksinën e Pfizer dhe BioNTech

Administrata e Ushqimit dhe Barnave (FDA) në Shtetet e Bashkuara është duke hetuar rreth pesë reaksione alergjike që ndodhën pasi njerëzit morën këtë javë vaksinën kundër koronavirusit të prodhuar nga Pfizer dhe BioNTech, tha një zyrtar i këtij institucioni.

Peter Marks, drejtor i Qendrës për Vlerësim dhe Kërkim në FDA, tha në një konferencë për media të premten mbrëma se reaksionet alergjike u raportuan në disa shtete, përfshirë edhe në Alaskë.

Ai tha se kimikati i quajtur polietilen glikon (PEG) që është përbërës i përdorur në vaksinën e Pfizer – si dhe në vaksinën e kompanisë Moderna që u autorizua për përdorim të premten – “mund të jetë fajtori” për reaksionet alergjike. Marks tha se reaksionet alergjike ndaj kësaj substance mund të jenë më të zakonshme se sa mendohej paraprakisht.

Rastet në Alaska, ku qytetarët përjetuan reaksione alergjike pasi morën vaksinën kundër koronavirusit të ri, janë të ngjashme me ato që u raportuan në Britani javën e kaluar.

Rregullatori shëndetësor në Britani tha se kushdo që ka histori të alergjive të rënda ndaj ilaçeve apo ushqimeve, nuk duhet të marrë vaksinën e Pfizer dhe BioNTech.

Por, FDA tha se shumica e amerikanëve që vuajnë nga alergjitë janë të sigurt që ta marrin vaksinën. Ky institucion tha se vetëm njerëzit që në të kaluarën kanë pasur reaksione të rënda alergjike ndaj vaksinave apo përbërësve që janë përdorur në këtë vaksinë të Pfizer, duhet të mos e marrin atë.

Të premten, FDA tha se vaksina e kompanisë Moderna nuk duhet t’u jepet personave që kanë një histori të reaksioneve të rënda alergjike ndaj çfarëdo përbërësi që është përdorur në vaksinat kundër koronavirusit. Kompania Pfizer nuk ka komentuar ende për këto hetime të nisura nga FDA. /Rel/

SHKARKO APP