Nisin punimet te unaza e madhe – Pas zvarritjeve, ARRSH nis shpronësimin e pronarëve
Pas një kalvari zvarritjesh, duket se punimet për ndërtimin e Unazës së Madhe po shkojnë drejt rinisjes. Përmes një njoftimi për shtyp Autoriteti Rrugor Shqiptar ka kërkuar nga të gjithë pronarët, që janë shpronësuar me vendim qeverie, në prill të këtij viti të dorëzojnë dokumentacionin për tërheqjen e vlerës për shpronësim.
Referuar vendimit, në total janë 146 familje që do të shpronësohen me një vlerë totale prej 1,224,874,43 lekësh. Njoftimi i ARRSH-së vjen pas shpalljes së kompanisë fituese që do të kryejnë punimet për lotin I të këtij segmenti, i cili u përfshi në skandalin e falsifikimit të dokumenteve nga kompani ‘DH Albania”.
Nga ana tjetër, prej 1 viti banorët e zonës që do të skualifikohen nga e drejta për shpronësim kundërshtojnë projektin, duke protestuar çdo ditë. Por, pavarësisht kësaj, qeveria ka deklaruar se ky segment i unazës do të ndërtohet, duke premtuar për këto familje vetëm pagesën e qirasë për një periudhë 2-vjeçare.
Ndërkaq, pas anulimit të tenderit gara u pasua nga një sërë problemesh të tjerë, ndërkohë që vetëm javën e kaluar është finalizuar me shpalljen e kompanive fituese që do të kryejë punimet. Bëhet fjalë për bashkimin e operatorëve “Salillari” dhe “Bajrami N”, të cilët ofertuan 1.776.111.282 lekë për realizimin e veprës.