Nisja e vitit akademik, studentët të paqartë për mësimin
Dy javë na ndajnë nga nisja e vitit të ri akademik por studentët vazhdojnë të jenë të paqartë për mënyrën se si do realizohet procesi mësimor. Nga përvoja në përfundim të vitit të shkuar, të rinjtë nuk kanë mbetur të kënaqur nga mësimi në distancë e për këtë arsye nuk e mbështesin si skenar të mundshëm.
Dekani i Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, Artur Sula sqaroi se mësimi do të zhvillohet i kombinuar duke mos e përjashtuar procesin online, pasi fakulteti nuk i ka kapacitetet e nevojshme në këto kushte.
“Kapacitetet edhe janë, edhe nuk janë. Nuk janë në kushtet e pandemisë që ndodhemi, prandaj si zgjidhje do të përdorim mësimin online për të realizuar një pjesë të leksioneve, por pa përjashtuar prezencën në auditor që në disa raste është i pazëvendësueshëm. Po përgatisim një plan masash për menaxhimin e mjediseve të shkollës”,-tha ai.
Sa i përket tarifave vjetore të studimeve nuk do të ketë ndryshime nga viti i mëparshëm. Niveli bachelor në këtë fakultet do t’i kushtojë studentëve 25 mijë leke ndërsa masteri 75 mijë lekë.