“Nisma e Ramës për alkoolin në shkolla”, Boçi: Sot problem cigarja e hashashit

Deputeti i PD, Luçiano Boçi e cilëson të pasinqertë nismën e kryeministrit kundër alkoolit në shkolla. Sipas Boçit, batutat e tij për alkoolin Rama po përpiqet ti shesë si një nismë duke i dhënë vetes rolin e edukatorit.

Boçi i kujton kryeministrit se sot problemi kryesor në shkolla është konsumi nga nxënësit i lëndëve narkotike.

POSTIMI I PLOTË I DEPUTETIT TË PD

Swiss Digital Desktop Reklama

ALKOOLI I RAMËS

Swiss Digital Mobile Reklama

Sa herë i është dashur Ramës të dalë nga situatat e vështira në parlament gjatë replikave, në mungesë të argumentave, si armë të fundit, në formë batute bajate të rradhës, i ka përmendur kundërshtarit “gotën e rakisë”. Jo në pak raste.

E gjitha kjo me qëllim shmangien e problemit të vërtetë të debatit.

Ndërsa “vizat” e veta për të cilat është akuzuar publikisht, është munduar gjithmonë t’i paraqesë si normalitet.

Kështu ngjan pak a shumë dhe nisma kundër përdorimit të alkoolit në shkolla.

Thjeshtë Një batutë të cilën po e paraqet si nismë.

Kërkon të bëjë zhurmë e të marrë pozën e edukatorit, për të shmangur realitetin dramatik të drogës mes të rinjve te këtij vendi.

Alkooli duhet ndaluar, por ky nuk është problemi kryesor i nxënësve deri në 18 vjeç në shkollat tona.

Shqetësimi themelor i mësuesve e i prindërve nuk është tekja e fërrnetit, apo jagerit, por është cigarja e hashashit, doza e kokainës dhe luga e heroinës.

Droga ka pushtuar shkollat tona të mesme dhe tashmë po përhapet me shpejtësi marramendëse në 9 vjeçare.

Ajo po vret e shkatërron çdo ditë të rinjtë e familjet e tyre.

Ministria e arsimit rri e vështron dhe ndonjëherë dërgon ndonjë polic.

E gjen jo vetëm tek bari, por dhe tek pallati, tek lagja, pse jo tek dyqani i elektronikës, i mishit, i zarzavateve e kudo.

Ka të bardhë, të kuqe, jeshile po dhe të zezë e ngjyra-ngjyra. E do pluhur, tabletë, kristal, me zhavor apo të pastër, vetëm hap gojën dhe e ke gati.

Mund ta marrësh në rrugë, në autobuz, në kinema, madje dhe pa dalë fare nga shkolla, pa kamarier e pa bufetier.

E gjen në qytet, në fshat po se po, në qendër e në periferi.

Qarkullon kaq shumë hashash sa një cigare prej tij kushton vetëm sa një teke uiski.

Pastaj Rama e di mirë dhe e ka provuar që moda e qerasjes ka ndryshuar.

“Respekti” nuk është më me pije, se ndryshe je jashtë mode.

“Respekti” sot shprehet me “mall”.

Shih rrushi kryerrushin e piqu i thonë kësaj pune!

Ky pra është problemi sot që Rama nuk e sheh dhe nuk kërkon ta zgjidhë, sepse është vetë problemi.

Rama e ka të pamundur të luftojë drogën për mijëra arsye.

Mbi të gjitha, jo se i ka ngel sahati tek alkooli, por sepse e ka të pamundur të kapërcejë thelbin e narko-qeverisjes së vet, fjalët çelës të së cilës janë krim, drogë e tallava.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A ka forcë Berisha të rrëzojë kryeministrin Rama, edhe pas skandalëve të fundit?