Një 20 vjeçare talente hidhet nga kati i 11-të.”Na fal Klea!”- shkruan pedagogia

 

 

"Kam qenë në dijeni për lidhjen e dashurisë që vajza ime ka pasur me një djalë. E dija që shkonin mirë dhe kishin mbetur miq. Nuk mendoja kurrë se vajza ime do të merrte vendimin t’i jepte fund jetës së saj”. Kështu ka deklaruar para oficerëve të Komisariatit Nr.2 në Tiranë, e ëma e 20-­vjeçares K. Sh., studente në vitin e parë të Fakultetit Ekonomik, e cila i dha fund jetës duke u hedhur nga kati i 11­-të i një pallati te “Rruga e Kavajës”, në afërsi të ish­-Parkut të Autobusëve.Ngjarja e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së mërkurës, rreth orës 21:00. Studentes iu gjet në njërën dorë karta e identitetit, ndërsa në xhep aparati celular. Një ditë pas ngjarjes, grupi hetimor mori në pyetje familjarët e vajzës si dhe disa nga shoqet e saj më të ngushta. E mbuluar nga lotët, nëna e së ndjerës, në pamundësi për të besuar atë se çfarë ishte duke përjetuar, ka treguar në polici se me Klean ka qenë e lidhur më shumë se nënë e bijë. “Kishim shumë afrimitet me njëra-­tjetrën. Ajo më tregonte gjithçka bënte, nuk më mbante të fshehta. Më ka treguar edhe për lidhjen që kishte pasur. Më ka thënë që kishin mbetur thjesht miq”, – është shprehur nëna e së resë. Ndërkaq, burime pranë policisë pohuan se e ëma e 20-­vjeçares ende nuk e besonte atë që kishte ndodhur. “Çdo gjë më duket si e pavërtetë. Nuk e besoj dot këtë që më ndodhi, gjithçka më duket bosh. Asnjëherë nuk ka pasur probleme më përpara. Klea ishte vajzë e mrekullueshme. Edhe në shkollë ishte vajzë e mirë, mësonte shumë”, – ka treguar ajo më tej.

Dëshmitë e shoqeve

Menjëherë pas ngjarjes, oficerët e policisë morën në pyetje edhe disa prej vajzave me të cilat Klea kalonte pjesën më të madhe të kohës. Gjatë dëshmisë së tyre, dy prej shoqeve të shkollës së 20-­vjeçares kanë pohuar se ajo nuk u kishte lënë përshtypje se do të arrinte në vetëflijim. “I kemi qëndruar gjithmonë pranë. Ajo komunikonte shumë me ne, për gjithçka që e shqetësonte. Nuk na ka lënë aspak që të dyshonim se do të ndodhte diçka e tillë. Ne e njihnim edhe ish­ të dashurin e saj dhe me të dilnim shpeshherë për t’u takuar. Pavarësisht të gjithave, ata kishin mbetur miq”,- mësohet të kenë thënë dy 20-­vjeçaret në Komisariatin Nr.2 në Tiranë.

Hetimet

Burime pranë grupit hetimor bënë me dije, se ngjarja është duke u hetuar në dy pista: të vrasjes e të vetëvrasjes. “Jemi duke hetuar në 2 pista, derisa të sqarohen të gjitha rrethanat e ngjarjes dhe të merren aktet e ekspertimeve”, thanë burimet për “GSH”.

 

Reila Bozdo, pedagoge e Fakultetit Ekonomik: Na fal Klea!

Reila Bozdo, pedagoge e Fakultetit Ekonomik në Universitetin e Tiranës shkruan lidhur me vetëvrasjen e 20-vjeçares një ditë më parë në Tiranë. Ajo thekson se ishte vërtetë një studente e shkëlqyer.“Në prag Krishtlindje, një vajzë 20-vjeçare vrau veten në Tiranë. Njoftimin e mora nga stafi i Fakultetit të Ekonomisë. Ishte studentja jonë e shkëlqyer.

Mëngjesin e nisa duke lexuar një artikull në gazetë i cili analizonte profilin virtuoz të vajzës. Mamaja ime e kishte patur nxënëse. Edhe për të Klea kishte qenë një vajzë shembullore. Jeta e saj u ndërpre në vigjilje të lindjes së Krishtit. Dhuratë jo fort e mirë për Perëndinë ky veprim i Kleas. Zoti na e ka dhënë jetën, dhe vetëm Ai e ka të drejtën të na e marrë atë.

Klea iku. Kushedi çfarë do bëhej Klea në të ardhmen nëse do të jetonte? Klea virtuoze mund ti jepte shumë vendit dhe shoqërisë. Por ajo zgjodhi të ikte. Një zgjedhje, të cilën sipas besimit fetar, nuk duhej ta bënte. Jeta në vendin ku jetojmë na vështirësohet nga gjithçka që na rrethon. Është shpesh tepër e lodhshme dhe e pasistemuar. Unë, mes çdo vështirësie kam gjetur njerëz të mirë, dashamirës, fisnikë dhe ndihmues. Ata janë gjithmonë aty, shpesh të fshehur. Mjafton ti shohim. Duhet vetëm që dhimbja apo trishtimi të mos na zaptojë e robërojë aq shumë sa të verbohemi e të mos shohim dot të mirët që na rrethojnë çdo ditë.

Jemi përballur me vështirësi në jetë. Disa gjëra na i kanë dhuruar, të tjera i kemi fituar e shumë të tjera na janë mohuar. Kemi vepruar drejt, por edhe kemi gabuar. Sidoqoftë, nuk jemi dorëzuar. Kemi besuar tek e mira dhe kemi ecur përpara.

Unë besoj se edukimi fetar, i cilësdo fe qoftë, ndihmon në edukimin e rezistencës së njeriut përballë problemeve dhe në tejkalimin e tyre.

Klea iku. Ne dështuam edhe njëherë si shoqëri. Dështuam sepse Klea e mirë nuk mundi t’i shihte të mirët mes nesh që të mund të jetonte me optimizëm dhe t’i tejkalonte vështirësitë. Na fal Klea!”- shkruan Reila në statusin e saj në Facebook.

SHKARKO APP