Një dasëm në Borje-Kukës, traditë e mrekullueshme (foto)

Nga Namik Dokle-
NJË TRADITË E MREKULLUESHME…
( Në fshatin tim, Borje-Kukës)
Dita e parë e dasmës është thuajse familjare; nëna zë bukën e dasmës, dhëndri përzien brumin me grykë të pushkës, vajzat dhe nuset e shtëpisë këndojnë. Ditën e dytë, mbasdite, vijnë curlet dhe lodrat, priten në kodrën nga duket gjithë fshati.
Në ditën e tretë, për mendimin tim, ndodh gjëja më e bukur, ajo që unë e konsideroj traditë të mrekullueshme… dhëndri mbledh vajzat dhe nuset e ftuara në dasmën e tij. Fillon nga shtëpia më e largët, me lodra e curle thërret të ftuarën e parë, pastaj të dytën, të tretën, deri sa i mbledh të gjitha vajzat dhe nuset dhe i sjell në oborrin e shtëpisë së tij.
Gjatë gjithë kësaj kohe lodrat nuk pushojnë asnjë grimë, ndërkohë që në vende më të hapura, të ftuarat ndalojnë e hedhin vallet varg e varg. Pjesën më të madhe të rrugës e bëjnë duke kërcyer. E pastaj, në oborrin e shtëpisë, vallet vazhdojnë deri pas mesnatës.
Fotot që shikoni janë bërë në Borje dhe Shishtavec, nga poeti e profesori i filologjisë Sadik Idrizi, bir në Krushevë e stërnip në Borje.

SHKARKO APP