Një dosje e vjedhur dhe ajo e gjyqtarit të vrarë Konomi në makinën ku ndodhej prokurori Ndoj
Prokuroria e Krimeve të Rënda vazhdon hetimet për atentatin ndaj prokurorit të Durrësit Arjan Ndoj. Ai që ka befasuar hetuesit është fakti që në makinën ku ndodhej Ndoj, bashkë me shoferin e tij dhe Land Muharremin, një person me precedentë penalë, janë gjetur edhe disa thasë me dokumente.
Aty është gjetur edhe dosja e vjedhur nga kasaforta në Prokurorisë së Durrësit disa kohë më parë, si edhe dosja e gjykatësit të vrarë disa vite me pare, Skerdilajd Konomi raporton Top Channel.
Pista kryesore e hetimit është pikërisht një konflikt për tokat e pretenduara nga familja e viktimës, ku disa kohë më parë është bërë një mbivendosje e dyshimtë në hipotekën e Durrësit në favor të një organizate kriminale.
Kjo solli edhe konfliktin mes prokurorit dhe drejtuesit të ri të hipotekës që kishte rënë në gjurmët e kësaj mbivendosjeje.
Një ngjarje tjetër e dyshimtë është ajo e majit të vitit të kaluar në Prokurorinë e Durrësit, ku ndodhi një grabitje e dokumenteve nga persona të paidentifikuar të cilët kishin arritur të dëmtonin edhe serverin. prokuroria njoftoi se asnjë dokument nuk kishte humbur, pasi kishin kopje.
Kurse dokumentet e tjera lidhen me ish gjyqtarin e Vlorës Skerdilajd Konomi, i cili u vra pasi një sasi eksplozivi shpërtheu në makinën e tij në vitin 2011. Pista kryesore e kësaj ngjarjeje është konflikti për pronat që gjyqtari kishte trashëguar në Hamallaj të Durrësit.