Një dron në burgun e Burrelit, plan nga grupet kriminale për të vr@rë dikë?
Ka kaluar në sitën e Prokurorisë lista e të burgosurve të cilët të dielën e 8 shtatorit, kanë kërkuar të dalin në ajrim në burgun e Burrelit. Pas bllokimit të një droni brenda sektorit të ajrimit në burgun e Burrelit, po kryhen hetime për të zbuluar personat e përfshirë.
Prokurori i çështjes ka urdhëruar që droni të dërgohet pranë policisë shkencore në Tiranë, ku dhe do të kryhet ekspertize kompjuterike mbasi dyshohet se droni është përdorur për të filmuar ambientet e burgut të sigurisë së lartë. Vepra për te cilën po hetohet është ajo e futjes së sendeve të ndaluara ne burg.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve njoftoi zbulimin e dronit, duke shtuar tendencën e grupeve kriminale për të filmuar ambientet e burgjeve. Disa nga burgjet e sigurisë së lartë në Shqipëri janë me bllokues valësh, për të parandaluar komunikimet e fshehta telefonike të të dënuarve dhe kjo masë ka ndikuar që grupet kriminale të mos i përdorin dronët për futjen e drogës në qeli.
Mbas ngjarjes së Burrelit, drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve ,Klevis Qose ka urdhëruar që çdo 20 minuta të kontrollohet edhe perimetri i jashtëm i burgjeve.