”Një fazë e re në zhvillimin energjetik”, Balluku: 100 milionë euro në vit përfitim për qytetarët nga ulja e tarifave

Zv/kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku thotë se Shqipëria po hyn në një fazë të re të zhvillimit energjetik, duke u bazuar në investime të qëndrueshme, reformim të tregut dhe rritje të kapaciteteve prodhuese dhe transportuese. Këto zhvillime sipas saj kanë sjellë jo vetëm siguri energjetike, por edhe përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët përmes uljes së ndjeshme të çmimit të energjisë elektrike.

Gjatë një takimi me krerë të institucioneve të varësisë, Balluku theksoi ndër të tjera se Shqipëria është shndërruar në një vend gjithnjë e më tërheqës për investitorët ndërkombëtarë në sektorin e energjisë së pastër, të cilët po ndërtojnë parqe fotovoltaike dhe eolike në disa zona të vendit.

”Në kushtet e një sezoni turistik me kërkesë të shtuar për energji dhe me përhapje të ngarkesës në të gjithë territorin, sistemi elektroenergjetik shqiptar po përjeton një transformim rrënjësor”, deklaroi Balluku. Sipas saj, ky transformim po e orienton Shqipërinë drejt tregjeve të liberalizuara të furnizimit dhe prodhimit, një hap i rëndësishëm në rrugën drejt standardeve evropiane. Një ndër pikat kyçe të këtij zhvillimi, theksoi ajo, është shtimi i kapaciteteve prodhuese.

Swiss Digital Desktop Reklama

Një ndër objektivat madhorë të qeverisë, siç e theksoi Balluku, është që deri në vitin 2030, Shqipëria të bëhet një eksportuese neto e energjisë elektrike, me fokus të veçantë tek energjia e rinovueshme. ”Prodhimi 100% nga burime të pastra tashmë është një realitet në vend, duke e renditur Shqipërinë ndër shtetet më të avancuara në këtë aspekt në Europë”.

Swiss Digital Mobile Reklama

Zv/kryeministrja Balluku vuri në dukje se zhvillimi i qëndrueshëm nuk ka ardhur vetëm nga investimet, por edhe nga performanca e lartë e kompanive publike, siç është rasti i OSHEE Group, që në vitin 2024 shënoi fitim prej 7,3 miliardë lekësh. Këto të ardhura janë reflektuar në përmirësimin e shërbimit, investime në rrjet dhe mundësi për ulje të tarifave për konsumatorët. Nga kjo ulje, informoi ajo, qytetarët përfitojnë rreth 100 milionë euro në vit.

Balluku tha edhe se Bashkimi Evropian ka vlerësuar reformat e deritanishme, duke hapur rrugën për negociatat në Kapitullin 4, që përfshin agjendën e gjelbër dhe ndërlidhjen e qëndrueshme me sistemet evropiane të energjisë. Gjithashtu, sipas raportit të Forumit Ekonomik Botëror, informoi Balluku, Shqipëria ka marrë 78,8 pikë në treguesin e qëndrueshmërisë energjetike, duke u renditur e para në rajon dhe duke lënë pas vende si Zvicra dhe Franca.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?