Një femër fiton Konkursin Ndërkombëtar të Dirigjentëve në Tiranë
Deliana Lazarova dirigjentja fituese e NRTA Conducting Competition.
Pas drejtimit të tre konkurrentëve juria e përbërë nga personalitete ndërkombëtare të botës nderoi mbrëmë në Tiranë me çmimin e parë dirigjenten Delyana Lazarova.
Delyana, është një dirigjente e re në moshë, por me një ekperiencë në drejtim me orkestra të rëndësishme si në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Europë e Azi. Ajo është përzgjedhur si dirigjente edhe në Festivalin Aspen Music që do të zhvillohet gjatë këtij viti.
E emocionuar Delyana falenderoi të gjithë muzikantët e Orkestrës së RTSH-së duke shpresuar që të rikthehej sa më shpejt që të drejtojë një koncert të vërtetë me këta artistë të jashtëzakonshëm. Gjithashtu , Lazarova vlerësoi edhe kolegët e saj dirigjentë.
Kryetari I jurisë, Mjeshtri I Madh Zhani Ciko u shpreh se për jurinë ishte shumë e vështirë të merrte vendim kur ke të bësh me talente të tilla ,ndaj çmimin e dytë juria e ndau midis Andreë Joon Choi dhe Ji Yujue.
Nga data 2 deri më datë 4 Mars 75 dirigjentë nga 35 shtete të ndryshme të botës drejtuan Orkestrën Sinfonike të RTSH-së , e cila ka marrë vlerësimet maksimale nga të gjithë personalitetet e muzikës që kanë bashkëpunuar me të. Po ashtu me nota maksimale kanë vlerësuar muzikantët e kësaj orkestre edhe juria e cila kishte në përbërjen e saj emra të muzikës botërore.
RTSH dhe Orkestra Sinfonike përmbyllën me sukses të premten e 8 Marsit një ngjarje të madhe artistike. Një konkurs unik për Shqipërinë , por jo për arenën ndërkombëtare muzikore. Tashmë NRTA Conducting Competition është listuar në konkurset ndërkombëtare , fakt ky që e bën Shqipërinë një faktor të rëndësishëm në zhvillimin e muzikës serioze.
Pas përballjes së 10 gjysmëfinalistëve në skenën e Universitetit të Arteve , për në natën finale u përzgjodhën 3 finalistë : Andrew Joon Choi- Korea e Jugut, Ji Yujue- Kinë dhe Delyana Lazarova –Bullgari.
Juria e konkursit.
Zhani Ciko – Mjeshtër I Madh
Vittorio Parisi – Dirigjent, Docent në Konservatorin G.Verdi ,Milano.
Bernt Bauge- Menaxher I Filarmonisë së Bergen, Norvegji
Gyorgy Igric –Drejtor Artistik I Orkestrës Sinfonike të Radios, Hungari
Maurizio Cocciolito –Drejtor Artistik I Solisti Aquilani
Kujtesa ndaj kompozitorit tonë të shquar Nikolla Zoraqi e bëri edhe më domethënës këtë konkurs nderkombetar, ku një nga veprat e tij emblemë e cila ka korrur sukses jo vetëm brenda vendit kur është interpretuar, por edhe jashtë saj, duke sjellë kështu shpirtin kombit tonë nëpërmjet harmonisë dhe melodisë. Uvertura festive është luajtur 3 herë nga dirigjentë të kombësive të ndryshme, në 3 forma të ndryshme dhe nga një orkestër e vetme.
Përveç, Uverturës Festive të Zoraqit, 3 finalistët drejtuan dhe nga një kohë nga sinfonitë e kompozitorëve të mëdhenj si Dvozhak, Brams dhe Shuman duke spikatur kështu në stilin dhe karakterin e gjithësecilit .
Finalja e madhe e këtij konkursi u transmetua direkt nga RTSH MUZIKË, kanal I dedikuar muzikor në tërësi, por që tregon një kujdes të veçantë ndaj muzikës serioze si një vlerë e jashtëzakonshme në ushqimin shpirtëror .
RTSH ndërmori këtë nismë kurajoze për të realizuar një ngjarje të përmasave kaq te mëdha, ne bashkëpunim edhe me Classics Management , duke dëshmuar se i përgjigjet kërkesave te publikut.