“Një martohet, njëqind dënohen”, mbi 40 milionë lekë gjoba lokaleve
Covid-19 ndryshoi gjithçka. Në një kohë që rastet në vend rriten dhe autoritetet bëjnë thirrje që të kemi kujdes, realiteti është ndryshe. Dëshira e çifteve për një dasmë me miq dhe farefis dhe tundimi i pronarëve të lokaleve për të shtuar fitimet në dhjetëra raste, ka rezultuar më i madh sesa frika nga Covid-19.
Shkelja e protokolleve të sigurisë ka rezultuar me pasoja financiare për këta të dytët. Të paktën 40 pronarë lokalesh janë gjobitur nga Policia e Shtetit gjatë muajve të fundit, pasi janë zënë duke zhvilluar ceremoni martesore apo mortore në ambiente të mbyllura.
Gati 40 milionë në total janë vënë deri më tani. Në më shumë se 10 raste pronarët e lokaleve nuk kanë zënë mend, pasi kanë vijuar punën me dasmat apo vakitë edhe pas gjobës. Pas konstatimit të përsëritjes së shkeljes atyre iu është bllokuar aktiviteti për 6 muaj si edhe kanë marrë gjoba nga 3 milionë lekë. Totali i gjobave të prera nga Policia e Shtetit për pronarë biznesesh apo individë që kanë neglizhuar dhe shkelur protokollet e sigurisë Covid-19 është mbi 70.