Një miqësi e thyer nga shpallja e mbretërisë. Babai i Turqve dhe Mbreti i Shqiptarëve në shtypin e kohës

Mustafa Kemal Ataturku dhe Ahmet Zogu I
Më 1 shtator të vitit 1928, në një telegram për institucionet lokale, legatat e huaja dhe gazetat shqiptare, Zyra e Shtypit në Tiranë njoftonte shpalljen e mbretërisë shqiptare me fjalët: “Sot ora 9 e 12 nen gjemimin e 101 topave e midis brohorive edhe enthuziasmit te paterguem, Asambleja Konstituante e pranoi me nji za raportin e Komisionit te Statutit për ndrrimin e formës se Shtetit në Mbretni demokratike, parlamentare, të trashëguëshme. Komisjoni ne fjalë, tue marre para sysh se caktimi i formes se Shtetit duhet me qene i pershtatshem për atë Kombë që destinohet dhe nuk duhet terhequn verberisht prej dogmave te ndryshme te shkencave socjale dhe tue marre para sysh se Shqipnija nga traditat e saja historike, nga destinacjoni që ka per me ba hapa te medha ne rrugen e reparimit dhe te konsolidimit te sajë, sheh teper te nevojshme regjimin mbretnuer, dhe keshtu me nji za e brohori proklamon Shqipninë Mbretni demokratike, parlamentare, te trasheguëme”
Në mbyllje të Luftërave Ballkanike u duk se i sëmuri i Evropës më në fund do të vdiste. Shqipëria kishte shpallur mëvetësinë e saj, ndërkohë që Perandoria Osmane, dikur madhështore, tashmë e gjymtuar po zhytej në një mjegull kokëfortë. Territori i Rumelisë që dikur mbahej si zemra e Perandorisë ishte humbur. Elita intelektuale osmane, e shtrirë mes pasigurive, u pa e ngërthyer në pyetje të paqarta rreth identitetit politik dhe kulturor që po kërkonte të përcaktonte për vendin.

Viti 1920: viti i shqiptarëve dhe turqve

Zhvillimi historik i këtyre dy popujve ndjek një rrugë që duket të jetë shkruar nga e njëjta dorë e fatit, një ngjashmëri që të habit. Lufta e Parë Botërore solli për të dy popujt sfidën e ekzistencës. Me trupa të huaj në vend dhe qeveri kukull, që nuk i shkonte fjala përtej hundës së vet, në mbarim të luftës së madhe, si shqiptarët ashtu dhe turqit, përjetuan një nga ato ngjarjet që do të mbetej thellësisht e shënuar në kujtesën historike: vetorganizimin e brendshëm politik. Mbledhja e burrave shqiptarë në Lushnjë dhe thirrja e Asamblesë së Madhe Kombëtare në Angora të Turqisë përbëjnë momentin më krenar në procesin e emancipimit kombëtar të këtyre dy popujve, duke i dhënë formë dhe shpirt një shteti të ri. Me rezultatet që prodhoi Lufta e Vlorës dhe Lufta për çlirim kombëtar në Turqi, nuk do të ishte e gabuar të cilësohet viti 1920 si vit i shqiptarëve dhe turqve.

“Ç’ngjet në Anadoll?”

Me mbarimin e luftës së madhe, të dy popujt do të ndiqnin me interes të veçantë zhvillimet e brendshme në vendet përkatëse. Në këtë kohë shtypi shqiptar shkruante mbi të bëmat e Gaziut, të prishurit e tij me Sulltanin, dhe pështjellimet në Azinë e Vogël, shpesh me një ndjesi habie dhe pa mundur të parashikonte drejtimin që do të merrnin ngjarjet. Kështu, “Hylli i Dritës” në rubrikën e saj “Lajme rrokull botës”, gjatë këndimit të të dhënave që vinin nga vende të ndryshme të botës, e të cilat siguroheshin nga telegrafet e Zyrës së Shtypit, do t’i jepte hapësirë të bollshme dhe zhvillimeve politike dhe ushtarake që vinin nga perandoria e rrënuar. Në fakt, lajmet nga Turqia do të zinin vend në faqet e fundit të “Hyllit të Dritës” pothuajse në çdo numër të revistës, kryesisht gjatë vitit 1922.

“Nji tjeter çashtje me randsi e qi shpërthej në fillim të Shtatorit si krejt e papritne, asht lufta qi nisi rishtas n’Azi të vogel, e ky lajm ka me vjeftë, ndoshta per të paren herë, me ja mushë ndokuej menden se si luftohet n’ato vise ndermjet grekëve e tyrqëve. Kush e ka pa e e ka provue luftën e madhe, kush muer pjesë në tragjedi qi lau në gjak botën, nuk mund mendojë se ka ma kund popull qi të ket vullndet me i dhanë ma marim ndonji çashtjes tuj ngrehë luftë. E pra, lajmet prej Stamollet, Adanet e Athinet na flasin krejt ndryshej nder kto dit”, shkruhej në numrin e nëntë të Vjetës III të revistës. “Shvillimi i punve ka me na diftue a ka me mujtë a jo ushtrija kemaliste me ja dale qellimeve qi kan qeveritarët e Angorës”, shkruhej në një pjese tjetër të lajmit, duke lënë të qartë se në punët e shtetit tashmë, Angora ishte ajo që diktonte fjalën vendimtare. Edhe “Shqiptari i Amerikës”, një gazetë që filloi botimin e saj në Korçë, në tetor të vitit 1922 nga një grup korçarësh të rikthyer në atdhe, teksa në ballinën e saj jepte lajmin për rizgjedhjen e Konicës në krye të “Vatrës’, do të shkruante gjithashtu “Mi Izmet Pashen dhe marreveshjen e Aliatëve”.

Faksimile të artikujve të revistës “Hylli i Dritës”. Në rubrikën “Lajme” këndoheshin të rejat nga Anadolli

“Dansë, venë, kumarr. A kta janë gjanat qi kerkojnë perkrahsit e liris së gravet?”

Nga të gjitha zhvillimet që shënonin revolucionin e parë në Lindje, liria dhe emancipimi i gruas ishin çështjet që do të ndesheshin më shumë me kundërshtimin e grupit të konservatoristëve shqiptarë. Një ballo e organizuar në vjeshtë të 3-të të vitit 1922, në kryeqendrën e perandorisë, i dha shkas reagimit të predikuesve shqiptarë të moralit. Ky grup i cili në shtypin shqiptar përfaqësohej nga revista fetare “Zani i Nalte”, do të shpaloste mendimin e tij mbi zhvillimet në Turqi dhe pozicionin e gruas, në një numër të saj në nëntor të vitit 1926. Ballo e organizuar në Stamboll, në të cilën zonjat turke këndonin, vallëzonin dhe pinin përkrah burrave, si duket e kishte shqetësuar grupin e konservatoristëve shqiptarë. “A kësaj i thuhet liberalizmë? a asht e drejte vajzat t’ona t’i lëshojmë midis krahvet të së njerinjevet? A po e shifni ajo vajzë e re ka venë kryet e vetë në krahnor t’atij djalit të ri qi mundet edhe emnin nuk ja di fare!…”, shkruhej në artikullin e revistës “Zani i Nalte”. Prezenca e pijeve dehurine në ballo dhe konsumi i tyre nga zonjat turke ishin kafshatë e pakapërdishme për këtë grup, i cili bënte thirrje që si gruaja ashtu dhe burri t’i kuptojnë detyrat e tyne kundrejtë vedit. “Turqit e rinjë pas pakë kohë me ligjët qi pranuën e lanë krejt të lirë gruan sikur e kishin t’arritun në shkallën Europiane, por tashi filluen t’a ndigjojnë kët humnerë qi hapën pa kohe… ‘Jeni Pershenpeja’, ‘Resimli Aj’ e të tjera filluan tash sa kohe të shkruajnë krye artikulla per të larguë të rinjit nga meraku i ballos, Kumarit edhe të Pijes; po mundohen atë q’i e dhanë me ligjë t’a ndalojnë me këshilla, por kjo nuk ka me qenë e lehtë se Stambolli e ka pas marrë fitilin qi me kohe; shpresa turke asht tashi vetëm të grueja e Anadollit e cila tue përmisue edukaten mund të pregatitët për të mbajtun nderin e vetës e të familjes”, shkruhej në një pjese të artikullit, duke bërë të ditur se në punët e moralit zonjat e Stambollit kishin rënë prej kohësh nga provimi.

Faksimile e artikullit të revistës fetare “Zani i Nalte” në lidhje me reformat në Turqi
Faksimile e artikullit të gazetës “Shqiptari i Amerikës” në lidhje me Marrëveshjen e Lozanës

Rroftë miqësia shqiptaro-turke

Proceset e brendshme të cilat përjetuan dy popujt vonuan fillimin e raporteve diplomatike mes dy vendeve. Më 28 tetor të vitit 1923, Gazi Mustafa Kemal njoftoi proklamimin e republikës para deputetëve duke bërë deklaratën e njohur: “Zotërinj, nesër do ta shpallim Republikën!”. Republika e Turqisë u shpall më 29 tetor të vitit 1923. Duke e parë republikën si zgjidhje të përkohshme për pështjellimin politik që ishte krijuar në vend, nuk do të kalonte as një vit e gjysmë dhe Shqipëria do të ndiqte shembullin e njëjtë. Shpallja e republikës shqiptare u përshëndet nga Gaziu, i cili gjeti rast t’i shkruante dhe një letër presidentit shqiptar, Ahmet Zogu. “Me 5 te Frurit nisem per ne Tirane, me ane te Brindizit. Bashke me letrat kredenciale kam dhe nje letre te veçante, te drejtuar Shkelqesis’ se Tij Ahmed bej Zogut, prej Mustafa Qemal Pashes, e cila asht dhe pergjegjia e nje letre q’i pat derguar Sh. e Tij, me Delegacien t’uaj, kur pati vajtur n’Angora per kembimin e traktatit”, shkruhej në letrën e ambasadorit të parë të Republikës turke në Shqipëri për sekretarin e Legatës shqiptare në Turqi. Kështu, “Traktati i Miqësisë” ishte nënshkruar, ministrat fuqiplotë ishin shkëmbyer, dhe të dyja palët kishin shpalosur vullnetin e mirë që historia e së ardhmes të shkruhej për miqësi dhe paqe. Deri këtu dukej se dostllëku shqiptaro-turk ishte i patundur, dhe se ashtu siç shkruante gazeta turke “Sulh”, të dyja palët do të nxjerrnin përfitime të panumërta nga kjo miqësi dhe besim. Megjithatë, ngjarjet do të merrnin kthesë kur erdhi lajmi për shpalljen e mbretnisë shqiptare në Angora.

Dokumente në lidhje me emërimin e Rauf Ficos, ambasador i Shqipërisë në Republikën e Turqisë
Njoftim i Zyrës së Shtypit në lidhje me dorëzimin e kredencialeve të ambasadorit turk Tahir Lutfi beut, pranë Presidentit të Shqipërisë në Tiranë, shkurt 1926.
Faksimile e artikullit në gjuhën osmane “Si do të jenë raportet tona me Shqipërinë? Intervistë e ambasadorit tonë të parë në Tiranë, Tahir Lutfi”.

Mustafa Kemal, të cilit do t’i duhej të priste vitin 1934 për të marrë titullin “Babai i Turqve” nga meclisi, në pyetjen e korrespodentit francez, Hanry Berrux mbi çështjen e hipjes në fronin e Shqipërisë të Zogut I, do të përgjigjej me fjalët: “Si mund ta njoh monarkinë shqiptare? Jo, jo! Mos më fol më për këtë. Unë nuk e njoh atë regjim. Ndoshta do të jem i vetmi në botë që nuk do ta njoh, por kjo nuk do të thotë gjë. Ju jap fjalën se nuk do t’a njoh. Njeriu nuk duhet ta tradhtojë kombin e tij!  Edhe nëse e detyrojnë populli, parlamenti, qeveria dhe miqtë e tij më të ngushtë, ai duhet të rezistojë”.

Shpallja e Mbretërisë Shqiptare

Më 1 shtator të vitit 1928, në një telegram për institucionet lokale, legatat e huaja dhe gazetat shqiptare, Zyra e Shtypit në Tiranë njoftonte shpalljen e mbretnisë shqiptare me fjalët: “Sot ora 9 e 12 nen gjemimin e 101 topave e midis brohorive edhe enthuziasmit te paterguem, Asambleja Konstituante e pranoi me nji za raportin e Komisionit te Statutit për ndrrimin e formës se Shtetit në Mbretni demokratike, parlamentare, të trashëguëshme. Komisjoni ne fjalë, tue marre para sysh se caktimi i formes se Shtetit duhet me qene i pershtatshem për atë Kombë që destinohet dhe nuk duhet terhequn verberisht prej dogmave te ndryshme te shkencave socjale dhe tue marre para sysh se Shqipnija nga traditat e saja historike, nga destinacjoni që ka per me ba hapa te medha ne rrugen e reparimit dhe te konsolidimit te sajë, sheh teper te nevojshme regjimin mbretnuer, dhe keshtu me nji za e brohori proklamon Shqipninë Mbretni demokratike, parlamentare, te trasheguëme”.  Pasi u proklamua regjimi mbretëror si forma me e arsyeshme për mirë qeverimin e Shqipërisë dhe pasi u prezantua vepra madhështore dhe patriotike e naltmadhnisë së tij, telegrami njoftoi shpalljen e Ahmet Zogut si “Mbret i Shqiptarëve” me fjalët: “Komisioni i Statutit Kuronen e nalte te fronit historik Shqiptar, ja paraqet Shpetimtarit të Kombit Ahmet Zogut nën emen: ‘Zog I Mbret i Shqiptareve’”. Në fund të telegramit bëhej e ditur se me vendim të Asamblesë, data 1 shtator proklamohej si festë zyrtare dhe se për tre ditë do vazhdonin kremtimet anë e mb’anë Shqipërisë, “mbi të cilën rishtasi po ndriste kunora e Skanderbeut”.

Zogu I, Mbreti i Shqiptarëve
Telegram nga Legata e Mbretërisë së Shqipërisë për ministrin e Punëve të Jashtme, Ankara 1932. Në telegram ministri njofohet për artikullin e gazetës turke “Aksham”, i cili hedh poshtë pretendimet për origjinën shqiptare të Ataturkut, të prezantuara në librin e njohur të Harold C. Armostrong, “Grey Wolf, Mustafa Kemal”.

“Unë nuk kam për ta njohur kurrë këtë njeri për Mbret!”

Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë nxitoi t’u drejtojë përfaqësive të saj të jashtme dhe përfaqësive të huaja të akredituara në Shqipëri një qarkore me anë cilës u njoftonte ndërrimin e regjimit në Shqipëri. E para që shprehu kënaqësinë për shpalljen e mbretnisë shqiptare ishte  qeveria mbretërore e Italisë. Pas këtij demarshi miqësor të aleates numër një të Shqipërisë, të parat fuqi që nxituan ta njohin regjimin mbretëror qenë Hungaria, më 3 shtator dhe Greqia, me 4 po t’atij muaji. Pasuan me radhë shtetet si: Urugai, Austria, Bullgaria, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Franca, Britania e Madhe, Rumania, Gjermania, Perandoria e “Zhaponit”, Kolumbia, Belgjika, Zvicra, Spanja, Polonia dhe një varg shtetesh tjera. “I vetmi shtet qe s’ka njohur akoma regjimin e ri ne Shqipnie asht Republika Turke. Ky qendrim i Republikës Turke ka per shkak aresyene te brendeshme dhe s’ka afektue as pak relacionet kordiale qe ekzistojne midis dy popujvet miq”, shkruhej në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme. Për të kuptuar se cilat ishin arsyet e brendshme për të cilat bënin fjalë autoritetet shqiptare është e nevojshme të shqyrtohet intervista e Gazi Mustafa Kemal të dhënë për të përditshmen franceze “Le Petit Parisien”, ende pa u bërë një javë nga proklamimi i monarkisë shqiptare. Mustafa Kemal, të cilit do t’i duhej të priste vitin 1934 për të marrë titullin “Babai i Turqve” nga meclisi, në pyetjen e korrespodentit francez, Hanry Berrux mbi çështjen e hipjes në fronin e Shqipërisë të Zogut I, do të përgjigjej me fjalët: “Si mund ta njoh monarkinë shqiptare? Jo, jo! Mos më fol më për këtë. Unë nuk e njoh atë regjim. Ndoshta do të jem i vetmi në botë që nuk do ta njohë por kjo nuk do të thotë gjë. Ju jap fjalën se nuk do t’a njoh. Njeriu nuk duhet ta tradhtojë kombin e tij!  Edhe nëse e detyrojnë populli, parlamenti, qeveria dhe miqtë e tij më të ngushtë, ai duhet të rezistojë”. Sipas Ataturkut, presidenti ishte ushtari i parë në shërbim të republikës dhe për këtë arsye duhet të ishte i fundit që do të linte gardën e tij.

Kthimi i Tahir Beut në Angora

Nuk do të vononte shumë dhe deklarata e Ataturkut mbi çështjen e monarkisë shqiptare, do të bënte xhiron e botës. “Financial News”, “Morning Post”, “Daily Telegraph” në Angli, “L’Independence Roumaine”, ishin vetëm disa nga emrat e njohur të gazetave evropiane të cilat publikuan intervistën e Babait të turqve, pa i kursyer komentet e tyre mbi thyerjen e marrëdhënieve shqiptaro-turke. Si të mos mjaftonte kjo, në shtypin evropian nisën të qarkullonin lajme mbi të ashtuquajturin plan të Ataturkut për të ndjekur shembullin e Ahmet Zogut. Si duket, ishin pikërisht këto raportime ato që do të shkaktonin rritjen e valës së zemërimit tek udhëheqësi turk.

“A do të ndjekë Mustafa Kemal shembullin e Ahmet Zogut?”, “A do të bëhet mbret Mustafa Kemali?”, ishin titujt propagandistikë të gazetave perëndimore, të cilat ministri fuqiplotë i Republikës së Turqisë në Londër shpejtoi t’i përgënjeshtronte. Në vazhdim, urdhri i kryetarit të republikës për kthimin me urgjencë në Angora të përfaqësuesit të saj në Tiranë, do t’i shpinte marrëdhëniet shqiptaro-turke në një pikë të vdekur.

 

Nga: Majlinda Misini
Koha.net 

SHKARKO APP