Një ndër destinacionet më të preferuar turistike, “Pema e Thatë” dikur simbol terrori
Ka qenë një ndër destinacionet më të preferuara turistke këtë verë në Ksamil, por pjesa më e madhe e atyre që vizitojnë “Pemën e Thatë” nuk e dinë historinë e saj.
Ky vend është pika më e afërt mes bregdetit shqiptar dhe atij grek dhe dikur ishte një simbol terrori dhe frike kolektive për banorët e Ksamilit.
Edhe sot atje ndodhet pika e vrojtimit ku ka qenë baza ushtarake që mbikëqyrte tentativat e arratisjes nga Shqipëria për në Korfuz dhe botën e lirë.
Kanë qenë me dhjetra njerëz që duke u përpjekur të arratiseshin nga Shqipëria komuniste humbën jetën në këtë vend, shkruan TCH.
Por tani pas thuajse 30 vitesh, ky vend i është përshtatur nevojës për turizëm dhe shërbime turistike.
Ndonëse pushuesit nuk e dinë historinë e këtij vendi kurioziteti për të kaluar këtu ditët e plazhit është i lartë, pasi nuk ka zhurma dhe fluks.
Gjithnjë e më shumë në vitet e fundit turistët po preferojnë plazhet ku nuk ka ndërtime, larg qendrave urbane ku mbizotëron qetësia dhe pastërtia.
KOHA JONË SONDAZH

