Një orë shi e stuhi në Tiranë dhe shikoni çfarë bëhet (foto dhe video)

 

 

Një orë shi e stuhi papushuar në Tiranë dhe bëri namin. Përmbytjet kanë prekur edhe zonën e Kombinatit, Paskuqanit në Tiranë. Disa rrugë të kësaj zone janë të pakalueshme nga uji, siç shihet nga këto foto. Shirat e rrëmbyer në Tiranë përmbytën edhe disa zona të tjera si dhe autostradën Tiranë -Durrës.

Njoftimet vijnë se shiu ka bërë përmbytje  në disa zona të Krujës, Fierit, Vlorës, Shkodrës, Elbasanit e Durrësit ku uji ka hyrë në shtëpitë.

Reshjet e shiut që përfshinë kryeqytetin në orët e para të mëngjesit kanë shkaktuar probleme në disa zona të tij. Për shkak të reshjeve të furishme të shiut, në disa rrugë ka prezencë të madhe të ujit.

Probleme ka në rrugët “Siri Kodra” deri te tregu i rrugës “5 Maji” si dhe bë rrugën “Ali Demi”. Vështirësi qarkullimi paraqiten edhe në zonën nga Zogu i Zi deri në Laprakë.

Ndërkohë, në disa lagje, banorët e kateve të para thonë se u ka hyrë uji në banesa.

Stuhia dhe reshjet e dendura kanë rrëzuar edhe pemë tek rruga e “Barrikadave”. Fatmirësisht nuk ka persona të lënduar, por vetëm dëme materiale pasi pema ka rënë mbi disa mjete të parkuara anës rrugës.

Një rebesh i fuqishëm shiu dhe ere ka përfshirë edhe veriun e vendit, shkruan Balkanweb. Për pasojë pa energji elektrike që prej mbrëmjes së të shtunës kanë mbetur Puka, Kukësi, Hasi e Tropoja.

Si pasojë e e reshjeve të dendura ka pasur edhe rëshqitje inertesh në disa akse rrugore.

Humbet 27-vjeçari në hidrocentral

Një 27-vjeçar nga Dibra është shpallur i humbur, pasi ka humbur kontaktet me familjarët prej mbrëmjes së djeshme. Dyshohet se i riu Adil Vladi mund të jetë mbytur, pasi shkoi për të pastruar kanalet e HEC-ve Lura 1 dhe 2.

Por që nga ai moment familjarët kanë humbur kontaktet me 27-vjeçarin.Menjëherë shërbimet e policisë janë vënë në kërkim të tij.

***

Uji i shiut ka përmbytur edhe katin e parë në Spitalin Ushtarak në Tiranë.

Ndërkaq, në autostradën Tiranë-Durrës niveli i ujit është i lartë dhe radha e automjeteve i kalon tre kilometra.

Në Shkodër, reshjet kanë shkaktuar përmbytje dhe dëme të konsiderueshme, ndërkohë që një pjesë e madhe e banorëve ka mbetur pa energji, për shkak të dëmeve në rrjet.

Veliaj: Jemi në gatishmëri

Kryetari i Bashkisë së Tiranës u është drejtuar qytetarëve me një mesazh në Twitter, lidhur me reshjet e shumta që kanë rënë gjatë gjithë natës e vazhdojnë të bien.

“Javë shirash, të gjitha brigadat në terren.Telefoni 128 për raste emergjencash.Evitoni kalimin në aksin Tirane-Dajt-Zall Bastar.Kujdes pranë lumenjve e përrenjve sot”.

SHKARKO APP