Një regjistër për objektet në bashkëpronësi, ministri Mazniku: Forcohet roli i administratorëve të pallateve
Në vendin tonë do të krijohet për herë të parë një regjistër kombëtar për objektet me bashkëpronësi, ku përfshihet viti i ndërtimit dhe çdo karakteristikë e ndërtesës. Në një intervistë për ”Tv Klan”, ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku thotë se pas 20 vitesh, ligji për bashkëpronësinë po i nështrohet ndryshimeve ligjore, si një nevojë e rritjes së numrit të ndërtesave dhe hapësirave urbane.
”Ne krijojmë për herë të parë konceptin e një regjistri të bashkëpronësisë, që çdo bashki duhet të mbajë që për çdo objekt, i cili ka elementë bashkëpronësie brenda të jetë i regjistruar, të tregojë volumin e bashkëpronësisë, objekt 5-katësh me 10 hyrje, ka shkallë në bashkëpronësi, ashensor nëse ka, tarracë nëse ka, depo uji, pompë uji dhe mënyra si mirëmbahen, kur mirëmbahen. Regjistri përcakton nëse ka kryesi, administrator’‘,-tha Mazniku.
Me ndryshimet ligjore, për herë të parë përcaktohet se sa është periudha që objekti duhet t’i nënshtrohet rijetëzimit apo rikonstruksionit për hapësira të veçanta. Nëse deri më tani administratori dilte si rezultat i vullnetit të banorëve, tashmë kthehet në person fiskal. ”Administratori regjistrohet si një person fiskal me NIPT dhe i jepet mundësi të lëshojë faturë, titull ekzekutiv që duhet të paguhet nga të gjithë anëtarët dhe të mblidhet nga enetet përkatëse”.
Sipas Maznikut, çështjet e vogla të bashkëpronësisë në vlerën e 20% të pagës minimale tashmë do të zgjidhen nga Komiteti i Ndërmjetësimit, i krijuar në çdo bashki të vendit, duke mos e çuar çështjen në gjykatë.