Një ulli për Klodian Rashën, Veliaj: Familje e rrallë e qytetit tonë

Babai i Klodianit, Qazim Rasha, e priti me emocion sot mbjelljen e pemës së ullirit në kujtim të djalit të tij, i cili humbi jetën dhjetorin e kaluar. Të afërm dhe miq të familjes, së bashku me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, zgjodhën Parkun “Europa” në sheshin “Skënderbej”, si një hapësirë e paqtë për këdo që do të dëshirojë të përkujtojë Klodianin.

Babai i tij, Qazimi, nuk i fsheh lotët, por nuk harroi të theksojë mirënjohjen e thellë për gjithçka është bërë për t’ia lehtësuar sadopak dhimbjen familjes. Ai u shpreh fort i emocionuar për vlerësimin dhe mbajtjen e premtimit për mbjelljen e pemës në kujtim të Klodit.

“Emocionet janë të mëdha! E kam shprehur edhe më parë, e shpreh dhe do ta shpreh gjithmonë për njerëz të tillë me vlera, që mendojnë për gjithçka, për të nesërmen, të ardhmen, dhe jo vetëm për të sotmen. E kam deklaruar që ditën e parë se Tirana është zemra jonë, është shpirti ynë. Në momente të tilla, ndoshta nuk gjejmë dot fjalë, por i falenderoj nga zemra të gjithë ata që na kanë ngushëlluar e nderuar, që nga dita e parë e deri sot, në ditën e 50-të. Nderimet më të mëdha i takojnë kryetarit të Bashkisë, i cili me veprimet e tij, bëri të mundur që pesha, ngarkesa dhe dhimbja ime të përgjysmohet. Ju falenderoj nga zemra për gjithçka! Jam i nderuar që sot mbillet kjo pemë. Le të shërbejë për brezat e ardhshëm, që secili nga ne, sipas mundësisë dhe aftësisë, ta vendosë një tullë në qytet. Tirana është zemra jonë, shpirti ynë, është krenaria jonë, dhe kjo duhet thënë me ballin lart. Ndaj secili nga ne le të mbjellë një lule, e jo ta dëmtojë atë. Faleminderit kryetar për gjithçka, je i nderuar, veprime të tilla i shërbejnë brezave. Emri i djalit tim do të jetë i paharruar, por falë veprimit tuaj, edhe djali juaj nesër do të krenohet me këtë që keni bërë, e do t’ju falenderojë për atë që menduat të bënit për djalin tim, por edhe për Tiranën”, tha Qazim Rasha.

Kryebashkiaku Veliaj u shpreh se, familja Rasha është inkurajim për çdo qytetar të Tiranës, pasi pavarësisht dhimbjes, ditën të kapërcejnë mëritë dhe zgjodhën dinjitetin.

“Unë jam vetë baba dhe kjo është një plagë që s’mbyllet kurrë! Një plagë e pashërueshme! Ama, ajo që bëri axha Qazim, na inkurajoi të përkujtojmë me respekt, ta ndajmë dhimbjen me njëri-tjetrin, por pa e shkatërruar qytetin ku jetojmë sepse është shtëpia jonë e përbashkët. I jam shumë mirënjohës për atë gjest sepse e di fare mirë, kur hyn në mes politika, i tejkalon caqet, dhe pa ndihmën tënde nuk do ta kishim ruajtur dot integritetin e qytetit tonë. Klodi do të jetë i paharruar sa të jetë jeta dhe ky ulli, simbol i paqes, është ndoshta mesazhi më i mirë. Keni mirënjohjen më të thellë të qytetit tonë! Sa të jem gjallë e sa të kem fuqi, do këmbëngul që drejtësia të shkojë deri në fund! Nëse politizojmë gjithçka, ia zëmë frymën drejtësisë; nëse inkurajojmë që drejtësia t’i shkojë gjërave deri në fund, atëherë sigurohemi që kjo nuk ndodh më kurrë, asnjë babai të mos i hapen plagë të tilla. Ju falenderoj shumë që i keni ndenjur pranë familjes dhe shpresoj fort se që ta përhapim edhe më shumë frymën që na ka dhënë axha Qazim. Duhet të duam pak më shumë, të urrejmë më pak, të përqafohemi më shumë, të shahemi më pak, të punojmë më shumë, të pengojmë më pak. Do të sigurohem që të bëj përpara çdo ditë, me këtë frymë. Këtu kemi vendosur edhe një pllakë përkujtimore, në të cilën mund të vendosim lule dhe të reflektojmë për mesazhin e kësaj familjeje të rrallë të qytetit tonë, e cila pavarësisht dhimbjes së madhe, diti të na japë me dinjitet këshilla!”, u shpreh Veliaj.

SHKARKO APP