Një vit nga sulmi në Banjskë, Ministria e Jashtme: E papranueshme që përgjegjësit mbeten ende të lirë
Në 1 vjetorin e sulmit në Banjskë, ku mbeti i vrarë Afrim Bunjaku, Ministria e Jashtme përmes një reagimi, shprehet se është e papranueshme që autorët përgjegjës të këtij krimi mbeten ende të lirë.
”Sot mbushet një vit nga sulmi terrorist i grupit të armatosur serb në Banjskë, ku mbeti i vrarë rreshteri policor i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku. Duke kujtuar me nderim,sakrificën e Afrim Bunjakut, Shqipëria mbështet Kosovën në përpjekjet dhe arritjet e saj, për vendosjen e sundimit të ligjit në të gjithë territorin e vendit. Është e papranueshme që autorët përgjegjës të këtij krimi mbeten ende të lirë. Drejtësia duhet të vihet në vend pa vonesa dhe justitifikime.
Shqipëria mirëpret vendimin e Prokurorisë së Kosovës, për të ngritur aktakuzë kundër të dyshuarve për organizim dhe kryerje të këtij sulmi brutal. Llogaridhënia është element kyç për parandalimin e përshkallëzimeve dhe konsolidimin e paqes në të gjithë rajonin”.