Një vit pa Gentin e “Djemve të Detit”, legjendën e rock-ut shqiptar

“Jeta është një det i thellë e i trazuar, në të cilin duhet të luftosh për të mbijetuar”. Kështu do ta përkufizonte ciklin dhe betejën me jetën ish lideri i “Djemve të detit”, i ndjeri Gentian Demaliaj, i cili pikërisht sot mbush një vit që i dha lamtumirën kësaj bote. Familjarë të tij, me rastin e 1-vjetorit të ndarjes nga jeta të artistit kanë organizuar një ngjarje speciale për nder të kujtimit të tij.

I njoftuar nëpërmjet një ftese, bërë publike në adresën e Facebook-ut të Gentit, familjarët bëjnë me dije se, ceremonia përkujtimore do të organizohet në Qendrën Kulturore – Kisha e Re Ortodokse -Tiranë, më datë 31 janar,ora 19:00, ndërsa sipas burimeve të gazetës “Koha Jonë”, pjesë e kësaj përkujtimoreje mësohet se do të jenë personalitete, figura të shquara të artit, kulturës, sportit e medias, si dhe miq e dashamirës të rockerit. Në këtë ceremoni, përveç kujtimeve që miq e familjarë do të ndajnë me njëri-tjetrin, do të ketë edhe një program-nostalgji, ku kolegë të Gentit do të interpretojnë disa nga hitet e tij më të famshme.

Gentian Demaliaj u lind dhe u rrit në qytetin e Lezhës. U nda nga jeta në moshën 41-vjeçare, si pasojë e një sëmundjeje të rëndë më 27 janar 2O15, duke lënë pas një krijimtari të pasur për artdashësit e tij dhe brezat në vazhdim. Ai do të mbahet mend gjatë për frymën e re që solli në rock-un shqiptar, si një ndër vokalet më të mira të viteve ‘90, si tekst shkrues i këngëve të grupit ku bënte pjesë, si dhe për hitet e mëdha që u la trashëgimi kulturore shqiptarëve. Kujtojmë këtu, “Baladë për Jakup Ferrin”, “Ëndrrat që për ty i thura”, “Jo tani”, “Mos qaj”, Lamtumirë”, “Zemërthyeri”, “Kohë pa ty”, “Dhimbje”, albumin “Epos”, etj.. “Djemtë e Detit” u krijuan në vitin 1990 dhe gjatë jarrierës së tyre janë vlerësuar me shumë çmime dhe tituj. Qyteti i Lezhës këtë vit i dorëzoi titullin “Qytetar nderi” familjarëve të Gentit dhe grurpit “Djemtë e Detit”.

 

SHKARKO APP