Njësia speciale RENEA stërvitet në Bizë, Hoxha: Të gatshëm për çdo emergjencë

Njësia Speciale RENEA kreu stërvitje në Bizë.

Lajmi bëhet me dije nga ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, i cili ka ndarë sot pamjet e programit stërvitor të Njësisë Speciale RENEA në Bizë.

Njësia Speciale RENEA po stërvitet në bazë të programit stërvitor të miratuar nga Drejtoria e Forcës Kombëtare të Sigurisë, në bashkëpunim me Regjimentin e Helikopterëve Farkë.

“Specialët e RENEA-s në një ditë stërvitje në terren të vështirë malor, duke perfeksionuar zbritjen me litar nga helikopteri. Të gatshëm për të ndërhyrë në çdo situatë emergjence”, thuhet në postimin e ministrit.

Tema e kësaj stërvitjeje ishte: “Zbarkimi me litar nga helikopteri në zonat malore, duke përdorur teknikën FASTROP, mbulimin e forcave me snajper gjatë zbarkimit”. Qëllimi i kësaj stërvitjeje është rritja e aftësive profesionale dhe e performancës së trupave operacionale, duke ndërvepruar dhe koordinuar taktikisht me Regjimentin e Helikopterëve Farkë, për t’iu përgjigjur në kohë situatave të ndryshme reale.

Sipas ministrit, stërvitja e përbashkët u realizua me sukses duke arritur qëllimin e saj. Në përfundim të stërvitjes u ra dakord që eksperienca të tilla të vazhdojnë dhe në të ardhmen.

 

/e.i/r.e/

SHKARKO APP