Njohja e viteve të punës në kooperativa dhe ndërmarrje shtetëtore, Hado: Qytetari jo më nëpër gjyqe, dorëzon një certifikatë familjare

Instituti i Sigurimeve Shoqërore do të njohë si periudhë sigurimi, për efekt pensioni në sistemin e sigurimeve shoqërore, vitet e punës për të gjithë ata qytetarë që kanë punuar në ish-kooperativat bujqësore deri në vitin 1991, ish-ndërmarrjet bujqësore deri në vitin 1992, apo ish-ndërmarrjet shtetërore deri në tetor të vitit 1993.

Në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, drejtori i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Astrit Hado shpjegon se procesi do të ndiqet nga vetë Instituti dhe se qytetari ka detyrimin të paraqesë vetëm një certifikatë përmes të cilës vërteton se banues i kujt fshati ka qenë për rastet e kooperativave dhe ish-ndërmarrjeve bujqësore dhe cilit qytet për rastet e ish-ndërmarrjeve shtetërore.

ISSH ka hartuar ndryshimet ligjore, të cilat iu nënshtruan edhe konsultimit publik dhe pritet të kalojnë për miratim në Këshillin e Ministrave.

Hado thekson se përmes këtij projektligji është siguruar që pensionin minimal të mund ta përfitojnë të gjithë qytetarët, në të gjithë vendin, pavarësisht nëse kanë punuar apo jo, nëse kanë punuar me kohë të plotë apo të pjesshme. “Mjafton të paraqesë një certifikatë që vërteton se ku ka banuar”, theksoi ai.

“Synohet që përmes këtij projektligji, të mundësohet njohja e periudhave të sigurimit pa pengesa procedurale, siç ndodh kur dokumentacioni që pasqyron periudhën e vjetërsisë në punë paraqet mangësi që e bëjnë të pamundur njohjen e saj administrativisht, pa shpenzime për përfituesit, dhe mbi të gjitha, mundësohet përfitimi i një pensioni, të paktën sa masa e pensionit social”, deklaroi Hado.

Sipas Hados, ky projektligj ka si përparësi dhe efekte të pritshme rritjen e mirëqenies së pensionistëve nëpërmjet përfitimit të pensioneve më të larta, sikundër eliminimin e shpenzimeve gjyqësore për përfituesit dhe shmangien e proceseve gjyqësore dhe ankimimeve në komisionet rajonale dhe qendrore të ISSH.

Hado tha se për qytetarët që kanë nisur punën 14 vjeç në ish-kooperativa dhe 15 vjeç në ish-ndërmarrjet shtetërore vitet që do të deklarohen nga vetë ata do të verifikohen nga ISSH dhe do të paguhen për aq sa do të rezultojë në sistemet e ISSH.

“Për kategoritë që pretendojnë se kanë bërë punë më të mira sesa punëtor i thjeshtë, do t’i verifikojmë në regjistrat e ISSH dhe do t’i paguajmë. Nuk do të çojmë më asnjë njeri në gjyqe”, tha ai.

“Është parashikuar që në rastet kur në kërkesat për caktim pensioni, deklarohen periudha në subjekte, detyra dhe funksione specifike, llogaritja e të cilave sjell efekte pozitive në masën e pensionit, me dakordësinë e kërkuesit, të ndiqet procedura ligjore në fuqi për shqyrtimin, vlerësimin dhe njohjen e tyre për efekt përfitimi në sistemin e sigurimeve shoqërore”, tha ai.

Sipas analizës financiare kostoja e shtuar, në vitin e parë të zbatimit, rezulton rreth 40 milionë lekë. Gjithashtu në vlerësim të kohës mesatare të gëzimit të pensionit prej 15 vitesh, kostoja për këta përfitues si rezultat i përfitimit nga ky ligj është rreth 600 milionë lekë. Në vlerësim të kostove vjetore të shtuara për kategoritë e përfitimit nga ky ligj efekti total i kostove të shtuara vit pas viti deri në 16 vite rezulton në rreth 5 miliardë lekë.

Sipas Hados, nga ky ligj parashikohet të përfitojnë rreth 40 mijë qytetarë.

/r.e/ ATSH

SHKARKO APP