Noka akuza Bashës: I ngule thikë pas shpine Berishës. Kreu i PD: S’do të lejoj grupime anti-amerikane
Mbledhja e grupit parlamentar të PD-së u mbyll me debate të forta. Deputeti Flamur Noka debatoi me kreun e PD-së Lulzim Basha, duke i kërkuar shpjegime për përjashtimin e ish-kryeministrit Sali Berishës.
Po ashtu Noka e ka bërë përgjegjës Bashën në atë që ai e quan “ngulje thike pas shpine ndaj Sali Berishës”. Kurse Basha mësohet se është shprehur se nuk do të lejojë grupime anti-amerikane në Partinë Demokratike.
Flamur Noka është një prej deputetëve të PD që ka kundërshtuar vendimin e Bashës për përjashtimin e Berishës nga grupi parlamentar, dhe është parë krah Berishës në Kuvend.
Noka: T’i je përgjegjës që i ke ngulur një thikë pas shpine Sali Berishës. Ti pavarësisht kësaj, ke thënë se është vendimi i jetës time. Kryesorja është që t’i japim zgjidhje çështjes Berisha dhe më pas vendosim për komisionet dhe strategjinë në parlament.
Basha: Mos thoni gjysmë të vërteta, kam thënë vendimi më i vështirë që kam marrë.