Noka nga Kamza i kthehet Ramës: Shqiptarët jo bagëti që mashtrohen me tallavanë tënde
Deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka gjatë një takimi në Kamëz, është shprehur se qytetarët shqiptarë nuk janë bagëti që të mashtrohen me “këngët tallava” të qeverisë. Noka i dërgoi një mesazh kandidatit që garon nën logon e PD-së zyrtare, Bilbil Bajraktarit, për të cilin tha se është i marrë peng nga mercenarët e kryeministrit Rama dhe i kërkoi që të tërhiqet nga gara.
“Çdonjëri prej jush ka vuajtur më shumë se kushdo ne qeverisjen e Rilindjes. Të gjithë e dinë se ç’do të thotë të të qeverisë Kipja. Një njeri që veç parasë nuk njeh asgjë tjetër. Një njeri që ju fal bashkia. Ju keni sot një motiv për t’i dhënë vrull ndryshimit në Kamëz.
Ju e ndieni se Sali Berisha është njeriu që ju mundësoi të jeni këta që jeni, këtu ku jeni dhe në rrugën e zhvillimit dhe integrimit. Askush më shumë se ju nuk ka detyrë t’i kthejë votën Sali Berishës. Vota për koalicionin “Bashkë Fitojmë” është votë për Berishën.
Kamza nuk e njeh tallavanë. Këtu në Valias ka halle e varfëri, këtu nuk ka bagëti që t’i mashtrosh me tallava. Ti mund t’i quash gomerë e çfarë të duash, por ne kemi qytetarë. Ne kemi Arjanin që ka luftuar kundër korrupsionit. Kam një mesazh edhe për Bilbilin. Bilbil, unë e di që të kanë marrë peng. Mercenarët që të kanë marrë peng i shërbejnë Edi Ramës. Vota juaj duhet të jetë e gjitha votë për Arjan Hoxhën”, u shpreh ai.