Nora Malaj tregon eksperiencën me Covid-19: Kam qenë 17 ditë në kllapi, pa dëshirë për të ngrënë
Ish-zv. ministrja e Arsimit, Nora Malaj në një intervistë për RTV Ora, rrëfeu eksperiencën e saj me Covid-19.
Ajo tha se në fillim mendoi se ishte ftohur pasi u ndje e dobët fizikisht.
Malaj shtoi se pas pak kohe iu rrit temperatura dhe nuk po merrte dot frymë, madje duke humbur edhe shijimin.
Nora Malaj: Nuk e mendoja se Covid-19 mund t trokiste në derën time. Ky vit nuk ka qenë i mbarë për mua, humba prindërit e bashkëshortit dhe në kulmin e pandemisë ndenja afër nënës time e cila dyshohej se mund të ishte e infektuar, por nuk rezultoi kështu. Pastaj vjehrrit humbi jetën nga mosha dhe në një mënyrë ishim të mësuar që shtëpinë ta kishim të izoluar. Prandaj mendoja se e kishim fituar këtë betejë, duke pasur kontakte të pakte me njerëzit dhe duke ruajtur distancë.
Por një ditë të bukur, në datë 23-24 u ndjeva paksa e dobët dhe mendova se isha e ftohur nga vapa e kondicionerët. Në fakt po shikoja se temperatura po rritej dhe kisha simptoma jo normale. Duke qenë se jam me diabet, më bëri të kuptoja se me kalimin e kohës po rritej dhimbja, nuk mbushesha dot me frymë dhe më iku shijimi. Po ashtu, më dhembnin kockat, kisha një kollë të thatë në laring. Temperatura mu rrit shumë deri në 39 duke më bërë më të dobët.
Malaj tha se u lidh me mjekun Pëllumb Pipero dhe ai e këshilloi që të bënte analizat.
Nora Malaj: Pastaj u lidha me profesor Piperon që është një ndër mjekët më të mirë që kemi, të cilin e kam edhe mik. Ai më këshilloi jo të bëja tamponin, por të bëja analizat që të përcaktohej edhe në bazë të skanerit, dhe rezultoi që e kisha. Duhet të menaxhoja antibiotikët me ilaçet e diabetit. Kanë qenë 17 ditë kllapie, pa lëvizur nga shtrati, pa dëshirë për të ngrënë. E vetmja gjë që kërkoja ishte dhalla. Gjatë kësaj periudhe u kujdes bashkëshorti im, por e mori edhe ai që ishte me shërbimi. Djali nuk futej brenda, por na i siguronte të gjitha, marrjen e ilaçeve, sjellin e ndonjë fruti dhe kontaktet me mjekët.
Sipas Malaj, janë tre momente që e ndihmojnë rastin e infektimit që janë konstatim i saktë, menaxhimi që të bën mjeku specialist dhe rasti i tretë janë familjarët.
Nora Malaj:Mendoj se janë 3 momente kryesore që e ndihmojnë këtë çështje; konstatim i saktë, menaxhimi që të bën mjeku specialist dhe rasti i tretë janë familjarët, sepse situata nuk është e thjeshtë. Të kap ajo që është si ankth frike dhe padije, kur e shikon se dobësohesh dhe që nuk ke imunitet. Unë fatmirësisht e kalova këtë rast dhe nuk shkova në spital, reagova pozitivisht. Sot jam në një situatë të rikuperuar. Tashmë jam në një fazë post Covid për tu rikuperuar nga stresi.