Notë proteste, avokatët e Korçës: E pamundur që një qytetar i Leskovikut të kërkojë zgjidhje në Apelin e Tiranës
Këshilli i Lartë Gjyqësor ka ardhur me një propozim të fortë, që lidhet me riorganizim e gjykatave në Shqipëri. Përmes një letre dërguar Ministrisë së Drejtësisë, KLGJ-ja thotë se nga 34 gjykata, duhet që të mbeten vetëm 15 në vend, si edhe një gjykatë Apeli. Lidhur me këtë situatë kanë reaguar edhe avokatët e qarkut të Korçës. Për ta kjo shkrirje nuk zgjidh problemin e çështjeve që mbahen prej kohësh në sirtare. ”E pamundur që qytetarët të ndjekin çështjet”.
Në emër të të gjithë avokatëve që janë anëtarë të dhomës së avokatisë Korçë, avokat Arben Lena doli në një deklaratë për mediat në kundërshti të këtij projekti që cënon një nga parimet bazë të zhvillimit të procesit të rregullt ligjor siç është gjykimi brenda një afati kohor të arsyeshëm, i cili do të vështirësojë aksesin pranë sistemit gjyqësor të banorëve të këtyre zonave.
Sipas avokatit Lena, ky projekt me një gjykatë apeli është një projekt i cili ka qenë funksional deri në vitin 1999 dhe ka qenë një praktikë që nuk funksiononte pasi aksesi i qytetarëve në drejtësi duhet të jetë efektiv ndërkohë sipas avokatit do të krijohet një pamundësi për të ndjekur proceset gjyqësore. Të gjithë anëtarët e dhomës së avokatisë Korçë, kanë firmosur një notë proteste të cilën ja kanë drejtuar KLGJ-së, Ministrisë së Drejtësisë, Komisionit të Ligjeve dhe Këshillit të Ministrave.
”Është e pamundur që një qytetar i Leskovikut të shkojë dhe të kërkojë zgjidhje në apelin e Tiranës. Është e pamundur që avokatët në Korçë për një çështje të zakonshme të shkojnë deri në Tiranë, pasi do të thotë humbje e ditës dhe efikasitetit dhe është e pamundur për zgjidhjen e çështjeve, pasi një gjykatë e vetme do të ngarkohet me të gjitha çështjen e Shqipërisë). Ky projekt i cili nuk ka funksionuar dikur dhe është e vërtetuar, nuk do ti vijë në ndihmë sistemit gjyqësor por do ta futë sistemin në një vorbull pa zgjidhje”, tha Lena.
https://kohajone.com/keshilli-i-larte-gjyqesor-kerkon-riorganizim-nga-34-gjykata-te-mbeten-vetem-15-dhe-1-gjykate-apeli/