Nuk dogji mandatin, Rudina Hajdari: Sakrifikova shumë, por koha më dha të drejtë
Ish-deputetja Rudina Hajdari thotë se babai i saj Azem Hajdari ka ndikuar që ajo të niste rrugëtimin politik. Hajdari e cila është rikthyer në PD, tha se koha i dha të drejtë lidhur me vendimin për mos djegien e mandatit. Për të sistemi aktual zgjedhor është i mbyllur, ku peshën më të madhe e kanë kryetarët e partive.
“Sot e kësaj dite fakti që mbajta mandatin më dha të drejtë. Lufta që bëra në Kuvend për një sistem proporcional me lista të hapura, nuk u lejua nga dy kryetarët e partive. Mendoj që njerëzit duhet t’i zgjedhin përfaqësuesit e tyre, siç ka qenë me sistemin mazhoritar.
Ne sot kemi sistemin më të mbyllur të mundshëm. Pesha e kryetarit, se si i rendit kandidatët, është më e madhe se ajo e qytetarit për ta prishur atë renditje.
Shumë njerëz mendojnë vetëm për karrigen e tyre. Kur mbajta mandatin e dija që rrezikoja ta humbja. Ishte një akt i vështirë. Sakrifikova shumë, por koha më dha të drejtë”.