Nuk e fitoi mandatin e deputetit, Bumçi: Rritje e jashtëzakonshme e PD-së
Në zgjedhjet e 25 prillit, Aldo Bumçi, ishte kandidat për deputet, por mandatin nuk e fitoi. Tani si anëtar i Partisë Demokratike, ai flet për rezultatin e zgjedhjeve të 25 prillit, ku thekson ndër të tjera se nga votimet u pa një “rritje e jashtëzakonshme e PD-së”.
“Morëm 456 000 vota në vitin 2017, ndërsa në këto zgjedhje morëm 622 000. Nuk i kemi marrë ndonjëherë kaq si Parti Demokratike. Kemi dhe një numër rekord fletësh të pavlefshme. Janë 83 000 fletë të pavlefshme, ndërsa në 2013 dhe 2017 kanë qenë 23 000 dhe 30 000 fletë të pavlefshme. Pra, në këto zgjedhje ishin 3-fish më shumë. Fletët ku ka një kryq të madh në të gjithë fletën janë shumë pak. Shumica kanë shenjën e qartë të vullnetit, shenjën e kryqit, te PD-ja dhe forcat e tjera. Në qendër të fletës së pavlefshme është PD-ja. Ka edhe Partia Socialiste kështu fletësh të pavlefshme, por shumë herë më pak”, tha Bumçi për ”A2cnn”.
Po ashtu, Bumçi shpjegoi arsyet e tjera të humbjes. ”U shkatërruan koalicionet, po të ishin siç kanë qenë historikisht, do të kishim dalë 80 me 60. E dyta, fleta e votimit u bë e tillë për të rritur numrin e fletëve të pavlefshme. Nuk u pranua varianti me emrat e kandidatëve. Me këto fletë të pavlefshme, PD-ja e kalon edhe Partinë Socialiste. Nuk e mohon dot njeri këtë. Çfarë ka ndërhyrë? Ajo që raporti i OSBE/ODIHR e thotë shumë qartë: flitet për blerje masive të votës dhe kapje të shtetit”,-tha më tej.