“Nuk është e këndshme të uroj vitin e ri akademik”/ Ministrja e Arsimit: Jam e vetëdijshme për vështirësitë, por…
Ministrja e Arsimit, Evis Kushi ka folur për fillimin e vitit të ri akademik. Në fjalën e saj në rihapjen e Universitetit të Forcave të Armatosur, Kushi u shpreh se për të sot nuk është shumë e këndshme të urojë vitin e ri akademik.
E vetëdijshme për sfidat që ka arsimi në kushtet e pandemisë, ministrja tha se është e vetmja mënyrë për të parandaluar përhapjen e Covid.
“Ky fillim viti akademik është tejet i pazakontë, është sfidues si asnjë vit tjetër më parë, Për shkak të rrethanave të paqarta të pandemisë në gjithë globin. Dhe nuk është aspak e këndshme për mua sot që të uroj vitin e ri akademik me auditorë të zbrazëta. Por kjo është një sakrificë e përbashkët që duhet ta bëjmë.
Janë rrethana që s’mund t’i shmangim, por t’i përballojmë, me sa më shumë qetësi, vendosmëri e kurajo.
Jam e vetëdijshme për vështirësitë që kemi përpara, por personalisht sfidat aktuale i shoh jo vetëm si pengesa, që duhen adresuar shpejt, por dhe ura që na orientojnë drejt urave të hapësirave të reja që kanë në fokus forcimin e kapaciteteve
Mendoj që kjo është e vetmja mënyrë për t’ia dalë, për përballimin dhe parandalimin që mund të na vijnë nga të panjohura më të mëdha si COVID-19”, tha Kushi.