Nuk hapet CD e SPAK-ut ku kishte mesazhe mes të pandehurve, shtyhet seanca për Arbër Çekajn

Vijon ngërçi i gjyqit të dosjes së 613 kilogramëve kokainë, që u kapën më shumë se një vit më parë në Portin e Durrësit.

Shtyhet sërish seanca për tre të pandehurit, Arbër Çekaj, Donaldo Lushaj dhe Armando Pezaku. Shkak për këtë është bërë një kërkesë e mbrojtjes, e cila ka kërkuar më shumë kohë pasi një CD e vënë në dispozicion nga SPAK nuk hapet dhe kërkohet një program më i avancuar kompjuterik.

Në këtë CD është një komunikim në whatsapp mes Arbër Çekajt dhe Donaldo Lushajt. Pa patur këtë komunikim avokatët pretendojnë se nuk e realizojnë dot mbrojtjen.

Kujtojmë se prokuroria ka kërkuar 21 vite burg për Çekajn, i cili i ka mohuar vazhdimisht akuzat, duke thënë se e kishte ngritur biznesin e tij me ndershmëri, dhe nuk ishte përfshirë në asnjë rast në trafik droge.

Po ashtu Çekaj ka kërkuar vazhdimisht dhe shkarkimin e prokurorit të çështjes Ervin Kondili, që sipas tij kishte inate personale, dhe për këtë kishte kërkuar një dënim me 21 vite burg.

Edhe në seancën e sotme biznesmeni i bananeve është shprehur se nuk i është dhënë mundësia që të mbrohet, ndërsa në sallën e gjyqit kanë qenë dhe përfaqësues të ambasadës amerikane në Tiranë.

“Nuk po më jepni mundësi që të mbrohem, më dhatë garancitë kur isha në Gjermani se do të ishte një proces i rregullt ligjor”, është shprehur Çekajn në gjykatë.

Seanca e radhës për Çekajn do të jetë në 4 Mars, ku ende nuk dihet nëse do të ketë një marrje vendimi.

SHKARKO APP