“Nuk jemi ende në TikTok”, Bido: Arkiva duhet t’i afrohet brezit të ri
Ardit Bido, drejtori i përgjithshëm i Arkivës së Shtetit, thotë se me kalimin e kohës, kufizimi që i është bërë Arkivës për të qenë brenda korrektes politike, po eliminohet nga hapësira e re multifunksionale e saj që nuk është vetëm muze. Ai flet edhe për brezin e ri.
“Kur na vijnë nxënës në Arkivë, habiten. Po i more dhe i the që kjo dosja këtu ka 300 fletë dhe është dokument shumë i rëndësishëm, ata do të thonë “ç’më duhet mua kjo çmenduri?”. Po i tregove thelbin në forma të ndryshme kreative, ata do ta kuptojnë. Rinia e sotme është e vetmja rini normale që ka pasur ky vend.
Duke qenë se është rinia më normale, nuk pranon as budallallëqet dhe në këtë mënyrë kthehet në indiferente. Jemi ne që duhet ta thyejmë këtë indiferencë. Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave nuk është ende në TikTok. Është një sfidë që ne e kemi. E di që do të dalin plot njerëz dhe do të thonë “ja, këta që e futën në TikTok”, por ndërkohë si do ta ndjekësh audiencën e re? Departamenti Amerikan i Shtetit ka llogari zyrtare në TikTok dhe Snapchat”, theksoi më tej Bido.